Premtimi i sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo për të vendosur “sanksionet më të ashpra në histori” në Teheran, ka nxitur reagimet e zyrtarëve europianë. Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, ka paralajmëruar se nuk ka asnjë alternativë për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

 

“Fjalimi i sekretarit të jashtëm Pompeo nuk ka treguar se si largimi nga marrëveshja bërthamore ka bërë ose do ta bëjë rajonin më të sigurt nga kërcënimi i zhvillimit të programeve  bërthamore apo se si na sjell në një pozicion më të mirë për të ndikuar në sjelljen e Iranit. Kjo marrëveshje i takon bashkësisë ndërkombëtare dhe është “rezultat i më shumë se një dekade të negociatave komplekse dhe delikate. Komuniteti ndërkombëtar pret që të gjitha palët të mbajnë zotimet që bënë më shumë se dy vjet më parë”.

 

Vetëm disa orë përpara fjalimit të Pompeos mbi Iranin, sekretari i jashtëm britanik Boris Jonson deklaroi se plani i Uashingtonit për të shtrënguar politikën kundër  Republikës Islamike nuk do të funksionojë. Ai u shpreh se pas largimit të Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore, perspektiva e një traktati të ri do të jetë shumë e vështirë. Ministria e Jashtme iraniane në anën tjetër përdori gjuhën e ashpër kur komentoi fjalimin e Pompeos duke deklaruar se Irani hedh poshtë akuzat dhe nuk e pranon të ashtuquajturën strategji e re të propozuar nga Uashingtoni.

 

Presidenti Hassan Rouhani, tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të marrin vendime për vendin e tij. Bota sot nuk pranon që Amerika të vendosë për të, vendet janë të pavarura, ajo kohë ka marrë fund.”-  deklaroi Rouhani. Një ditë më parë, Mike Pompeo vendosi disa kushte për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, përfshi edhe tërheqjen e forcave iraniane nga Siria e dhënien fund të mbështetjes së Republikës Islamike për rebelet “Houthi” në Jemen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *