Bashkimi Europian ka përshëndetur krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 

Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri, përmes një njoftimi për mediattheksuan se krijimi i këtyre institucioneve shënon sukses në rrugën e vettingut, për një sistem gjyqësor të pavarur.

 

Sipas BE krijimi i dy Këshillave do të mundësojë tani krijimin e Strukturave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm.

 

 “Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri mirëpresin krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas zgjedhjes së anëtarëve magjistratë më 11 dhe 12 dhjetor. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Kjo konfirmon pakthyeshmërinë e reformës dhe suksesin e procesit të vetingut, si një bazë e domosdoshme për krijimin e të gjitha institucioneve të reja gjyqësore.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor. Krijimi i dy Këshillave do të mundësojë tani krijimin e Strukturave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Kjo do të mundësojë konsolidimin e mëtejshëm të progresit të bërë me reformën e drejtësisë.

Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri përshëndesin përpjekjet e mëdha të ndërmarra nga Shqipëria në procesin e reformës së drejtësisë dhe u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve kombëtarë që ta konsolidojnë këtë reformë, edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, çka është vendimtare për funksionimin e ardhshëm të gjyqësorit. Ata gjithashtu ritheksojnë rëndësinë e një gjyqësori të fortë dhe të pavarur për të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.

BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare mbeten plotësisht të përkushtuara për ta mbështetur Shqipërinë në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor, që jep drejtësi për të gjithë qytetarët shqiptarë.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *