Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është kthyer në vëmendjen e liderëve politikë jo vetëm në Kosovë, por edhe të ndërmjetësueseve të BE dhe SHBA për dialogun.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për arritjen e marrëveshjes, Mirosllav Lajçak, është shprehur kundër idesë për shkëmbim territoresh. Sipas diplomatit sllovak ky shkëmbim nuk është dhe nuk duhet të jetë në axhendën e BE-së.
MIROSLAV LAJCAK
I DERGUAR I BE PER DIALOGUN
Dialogu i lehtësuar nga BE synon të arrijë një marrëveshje ligjore të detyrueshme për normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të kontribuojë në stabilitetin në rajon. Ideja e shkëmbimeve të territoreve bën të kundërtën.
Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë një qëndrim të prerë kundër shkëmbimit. Dick Custin, zëdhënësi i të dërguarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, u shpreh për radio Europë e lirë se “të gjithë janë të mirëpritur për të kontribuar me ide, që do të ndihmonin stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e Serbisë dhe Kosovës”, duke mos përjashtuar sugjerimet e Rusisë.
Më herët ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, gjatë një interviste për mediat serbe theksoi se zgjidhja përfundimtare duhet të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke miratuar një rezolutë të re që do të zëvendësonte rezolutën 1244 për statusin aktual të Kosovës.





