Në kulmin e debatit politik, pas akuzave të opozitës për manipulim të qëllimshëm nga ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj, të nenit për esktradimet, pjesë e Kodit të Procëdurës Penale, ka reaguar Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.

 

I përfshirë direkt në ndryshimet ligjore në funksion të reformës në drejtësi, përmes Misionit EURALIUS, Delegacioni thekson se neni për esktradimet, përputhet me standardet europiane.

 

 

“Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me Standartet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit. Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë për ekstradimin, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”

 

Në reagimin dhënë për “Zëri i Amerikës”, përfaqësia diplomatike e Brukselit në Tiranë thekson se gjatë diskutimeve ka pasur variante të ndryshme, por pa cënuar thelbin e ligjit.

 

 

“Ka patur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale – pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius – deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017. Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit”

 

Partia Demokratike ka akuzuar Fatmir Xhafaj, tashmë ministër i Brendshëm se përmes fallsifikimeve dhe manipulimeve të dikumenteve parlamentare, ka ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar që i vëllai të mos ekstradohej në Itali për të vuajtur dënimin 7 vite e dy muaj burg, për pjesmarrje në trafikun ndërkombëtarë të drogës. Por mazhoranca në përgjigjen e saj ka këmbëngulur se nuk ka pasur manipulim. Ndryshimet ligjore reflektojnë sandardet ndërkombëtare, në zbatim të Konventës Europiane për Ekstradimet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *