E shtunë, 31 Tetor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

BE-ja gjobit Google me rreth 3 miliardë euro

Komisioni Evropian ka vendosur të premten një gjobë prej 2.95 miliardë eurosh ndaj kompanisë amerikane, Google, për shkelje të rregullave të konkurrencës duke i favorizuar shërbimet e veta të reklamimit digjital.

Komisioni Evropian gjithashtu urdhëroi gjigantin amerikan të teknologjisë t’i ndalë “praktikat e favorizimit të vetes” dhe të marrë masa për të shmangur “konfliktet e interesit” përgjatë zinxhirit të furnizimit në teknologjinë e reklamave.

Reklamë

Kjo është hera e katërt që KE-ja e gjobit Google-in. Vendimi i degës ekzekutive të Bashkimit Evropian pritet ta zemërojë presidentin amerikan, Donald Trump, administrata e të cilit ka sulmuar Bashkimin Evropian për rregullat e vendosura ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë.

Komisioni Evropian tha se hetimi i tij zbuloi se Google “abuzoi me pushtetin e vet” duke favorizuar shërbimet e veta të teknologjisë së reklamimit online në dëm të konkurrentëve, reklamuesve dhe botuesve.

Reklamë

Kompania ka 60 ditë kohë për të paraqitur propozime për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Nëse nuk paraqet një plan të zbatueshëm, Komisioni nuk do të hezitojë të vendosë një zgjidhje të përshtatshme”, tha Teresa Ribera, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian që mbikëqyr çështjet e konkurrencës, në një deklaratë të publikuar online.

“Në këtë fazë, duket se mënyra e vetme për Google që ta eliminojë realisht konfliktin e interesit është përmes një zgjidhjeje strukturore, siç është shitja e një pjese të biznesit të saj Adtech”, shtoi Ribera.

Megjithatë, Komisioni Evropian tha se fillimisht dëshiron ta “dëgjojë dhe vlerësojë” propozimin e kompanisë.

Google e quajti vendimin “të gabuar” dhe u zotua se do të ankohet ndaj tij.

Vazhdo të lexosh

Reklamë