Bashkimi Europian  ka shprehur shqetësimin e tij  në lidhje me raportet për parregullsi në zgjedhjet e mbajtura në Serbi. Në një deklaratë të përbashkët  për mediat shefi  i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell dhe komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi kanë kërkuar përmirësim në reformat zgjedhore të mëtejshme.

“Me shqetësim ne vijmë në përfundimin se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE.”

Mbrëme kundërshtarët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç mbushën sheshet e kryeqytetit duke protestuar ndaj manipulimit të zgjedhjeve të së dielës, të cilat sipas vëzhguesve ndërkombëtar u  shoqëruan me shumë parregullsi.

Në Beograd, mijëra njerëz  u mblodhën para selisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke brohoritur “hajdutë”, ndërsa udhëheqësit e opozitës hynë në seli për të paraqitur ankesa zyrtare me pretendimet për mashtrime në zgjedhjet.

“Kemi dorëzuar të gjitha vërejtjet tona, dëshmitë, regjistrimet dhe gjithçka që duhet të shohë Komisioni i Zgjedhjeve, përfshirë dëshmitë se në çfarë kushtesh janë mbajtur zgjedhjet dhe si është kryer vjedhja brutale në qendrat e votimit, se si njerëzit nga Republika Serbe, nga Bosnja, u sollën për të votuar”, tha kryetari i opozitës serbe, Miroslav Aleksiç.

Miroslav Aleksiç dhe udhëheqësja tjetër e opozitës Marinika Tepiç thanë se do hyjnë në grevë urie deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Gjatë protestës pati përpjekje për të hyrë në selinë e Komisionit mbi ndërtesën e të cilit protestuesit hodhën vezë, domate dhe letra higjienike.

Vetë Aleksandër Vuçiç u shfaq në televizionin shtetëror duke deklaruar se zgjedhjet ishin të drejta ndërsa iu bëri thirrje njerëzve të mos shqetësohen, pasi siç tha ai ligji dhe rendi do të mbizotërojnë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *