Ministrat e Energjisë të BE-së duan të çlirojnë Ukrainën nga varësia energjetike nga Rusia. Edhe vetë BE-ja dëshiron ta shkëputet sa më shpejt të jetë e mundur nga gazi dhe nafta ruse.

 

Papritur gjithçka po ndodh shumë shpejt në Bruksel. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës bën të mundura marrjen e disa vendimeve brenda disa orësh, ndërkohë që pa luftë do të nevojiteshin muaj të tërë për miratimin e tyre. “

 

Nuk kemi kohë për procedura burokratike në luftë”, vuri në dukje shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ministrat e Energjisë vendosën papritur në një takim të shpejtë emergjence në Bruksel që ta përfshijnë Ukrainën në Rrjetin Evropian të Energjisë Elektrike. Ukraina duhet të shkëputet nga rrjeti i përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë sa më shpejt të jetë e mundur. Përpjekjet e para teknike për ta bërë këtë kishin nisur qysh përpara sulmit rus. Tani do të ketë një kyçje emergjente me disa hapa. Nga këndvështrimi i Komisioneres së BE-së për energjinë, Kadri Simson, nuk ka zgjidhje tjetër.

 

Furnizimi i BE-së duhet të mbetet i sigurt

 

Shoqatat e operatorëve evropianë të rrjeteve dhe autoriteteve mbikëqyrëse në BE tani duhet të shqyrtojnë brenda pak ditësh
sesi mund të lidhet rrjeti energjetik evropian me Ukrainën, e cila e përfton pjesën më të madhe të energjisë së saj elektrike nga katër reaktorë bërthamorë. Në fund të fundit, bëhet fjalë për rreth 40 milionë konsumatorë të rinj.

 

Përveç kësaj, duhet kontrolluar edhe se a depërtojnë dot hakerat në kontrollet e termocentraleve në BE përmes Ukrainës.

 

“Rrjeti energjetik europian duhet të mbetet i sigurt”, ka kërkuar ministri gjerman për Çështjet Ekonomike, Robert Habeck, në Bruksel. “Nëse ushtria ruse sulmon një termocentral në Ukrainë, ne nuk duhet të pësojmë një blackout në Evropë”, tha ministri gjerman. “Duhet të garantohet qëndrueshmëria ndaj sulmeve kibernetike ose ndërprerjeve të energjisë.” Duhet ta mbështesim Ukrainën tani në mënyrë që furnizimi me energji elektrike të mos shembet plotësisht si rezultat i luftës,” tha Habeck.

 

Aktualisht, Rusia mund ta kufizojë masivisht furnizimin me energji elektrike në Ukrainë, sepse autoritetet ruse e kontrollojnë, për shembull, tensionin dhe frekuencën në rrjet, i cili daton që nga koha sovjetike.

 

Varësia nga karburantet fosile

 

Tani është e qartë për BE-në se edhe ajo dëshiron të bëhet e pavarur nga furnizimet me energjinë ruse, sa më shpejt të jetë e mundur. Bashkimi Evropian aktualisht importon nga Rusia 40 për qind të importeve të gazit, 25 për qind të importeve të naftës dhe 46 për qind të importeve të qymyrit. Varësia ndryshon shumë nga vendi në vend. Finlanda, për shembull, merr 94 për qind të gazit natyror nga Rusia fqinje. Gjermania, vendi më i madh industrial në BE, 50 për qind. Holanda njëmbëdhjetë për qind dhe Irlanda nuk ka fare gaz nga Rusia. Ukraina nuk blen më gaz nga Rusia, megjithëse tubacionet kryesore kalojnë nga territori i saj.

 

Në terma afatgjatë, më së voni deri në vitin 2050, BE-ja dëshiron të mos djegë më asnjë lëndë djegëse fosile. Rusia si furnizuese atëherë do të jetë e tepërt. Në takimin urgjent, ministrat e Energjisë diskutuan se si mund të përshpejtohet tranzicioni i energjisë.

Ministri gjerman për Çështjet Ekonomike, Robert Habeck, pranon se varësia nga gazi rus ka qenë e gabuar. Prandaj edhe qeveria gjermane kohët e fundit po angazhohet gjithnjë e më shumë për ta zëvendësuar gazin rus me gaz të lëngshëm (LNG). Për këtë duhen ndërtuar sa më shpejt dy terminale shkarkimi në bregdetin gjerman. Komisionerja e BE-së Kadri Simson tha se edhe në rast të një embargoje ruse të gazit dhe naftës në BE, Evropa nuk do të mbetet pa drita ose ngrohje. Ekspertët e Komisionit llogarisin se rezervat ekzistuese të gazit dhe blerjet e LNG nga SHBA, Japonia dhe Lindja e Mesme si dhe gazi nga Afrika e Veriut mjaftojnë për të kaluar fundin e dimrit.

 

Energjia bërthamore si alternativë?

 

Disa shtete anëtare, si Franca, mbështeten në energjinë bërthamore si një bazë e qëndrueshme furnizimi. Gjermania vendosi të dilte. Nuk ka kthim prapa, konfirmoi në Bruksel ministri i Ekonomisë Robert Habeck. Habeck megjithatë kishte lënë të hapur mundësinë e zgjatjes së operimit të tre centraleve bërthamore që ende nuk janë mbyllur në Gjermani. Por ai shtoi se Gjermania do të ndërmarrë masa të tjera për t’i bërë ballë varësisë ruse: “diverzifikimin e gazit dhe zgjerimin e kapaciteteve për energjitë e ripërtërishme”, tha politikani i gjelbër.

 

Termocentrale të reja bërthamore do të ndërtohen ose vihen në përdorim në Hungari, Republikën Çeke dhe Sllovaki, të cilat të gjitha varen nga gazi rus. Hungaria dhe Republika Çeke mbështeten në kompani dhe teknologjinë ruse. Sllovakia e ndërtoi termocentralin e saj bërthamor nga një kompani amerikane.

 

Kompania operuese franceze e termocentraleve bërthamore nuk e kishte përjashtuar bashkëpunimin me kompaninë operative ruse “Rosatom” para luftës në Ukrainë. Tani kjo mund të jetë një rrugë pa krye. Por termocentralet e reja bërthamore nuk luajnë ndonjë rol të madh në sigurinë afatshkurtër të furnizimit me energji, në rast të një embargoje ruse, sepse ndërtimi i tyre kërkon shumë vite, në mos dekada./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published.