BE-ja dhe SHBA-ja “në të njëjtën linjë” për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Europian dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës qëndrojnë nën të njëjtën linjë sa i takon rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kështu deklaroi i dërguari i unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas një takimi me ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Jim O’brien, në Davos të Zvicrës ku ka nisur punimet Forumi Ekonomik Botëror.
“Ne duam ta shohim rajonin duke ecur përpara dhe që qytetarët e tij të përfitojnë. Më vjen mirë që rikonfrmuam se ne jemi plotësisht në të njëjtën linjë”, tha Lajçak.
Gjatë qëndrimit në Davos, Lajçak u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin bisedoi për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes.
“Diskutuam rreth temave të dialogut dhe pritjeve për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në periudhën e ardhshme. Ne ramë dakord që zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit është urgjent.”
Në Forumin Ekonomi Botëror në Zvicër po marrin pjesë liderë dhe personalitete nga e gjithë bota, ndër ta edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e president i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Të dy krerët e shteteve pritet të zhvillojnë takime veçmas me të dërguarin Bashkimit Europian Miroslav Lajçak.




