Për Martin Schulz-in, i cili aktualisht merr mbështetje maksimale në sondazhe, çështja kuptohet që është e pakëndshme. Zyra Evropiane për Luftimin e Korrupsionit do të shqyrtojë sinjalizime, në bazë të të cilave në Parlamentin Evropian janë bërë gradime të diskutueshme dhe janë paguar shpërblime, kur atje ishte President kandidati aktual për kancelar i SPD.

 

Në fushatën elektorale kundër Kancelares Angela Merkel (CDU), Schulzi do të mbledhë pikë me temën e drejtësisë. Kurse tani, 61 vjeçari duhet t’i përgjigjet pyetjes se a është e drejtë që të paktën një bashkëpunëtor i tij merrte çdo muaj shtesa të patatueshme mbi rrogën në shumën 2200 euro, kurse të tjerët merrnin mesatarisht 500 euro.

 

“Me shërbim të vazhdueshëm” në vendbanimin vetjak

 

Një rast tjetër ka të bëjë me të besuarin e Schulz-it, Markus Engels. Gjermanin e patën dërguar në vitin 2012 me “shërbim të vazhdueshëm” në Berlin, megjithëse ai e kishte vendosur qendrën e jetës së tij që më parë në Berlin. Për Engelsin një ndërtim i tillë i kontratës do të thoshte që ai përfitonte nga një shtesë në pagë prej 16 përqind  për botën e jashtme dhe që përfitonte të paktën disa ditë nga dietat ditore.

 

Administrata e Parlamentit Evropian nuk sheh shkelje

 

Zyra e BE për Luftimin e Korrupsionit do ta analizojë këtë situatë për të konstatuar “nëse ekziston një dyshim i mjaftueshëm për mashtrim, korrupsion ose ndonjë aktivitet ilegal”, i cili prek interesat financiare të BE, tha një zëdhënëse.

 

Vetëm pas kësaj do të vendoset a do të hapet një proces hetimor zyrtar. Administrata aktuale e Parlamentit, sipas të dhënave të saj nuk sheh shkelje juridike të ish-Presidentit të saj. Por Zyra e pavarur e BE nuk është e lidhur me këtë gjykim.

 

Schulz hesht për kritikat

 

Kritikat do t’i shqyrtojë edhe Komisioni për Kontrollin e Buxhetit të Parlamentit Evropian. “Këtu që në fillim rregullat u interpretuan me shpërdorim dhe në kurriz të taksapaguesit”, komenton kryetarja e Komisionit, Inge Gräßle (CDU). Komisioni i ka dërguar një katalog të gjerë me pyetje administratës së Parlamentit, me një afat për përgjigje deri në 3 mars.

 

Schulzi vetë deri tani nuk dëshiron të shprehet për kritikat. Ai ka qenë që prej vitit 2012 deri në fillim të vitit 2017 President i Parlamentit Evropian.

 

Marrë nga Deutche Welle

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *