BE gati për ti thënë lamtumirë ndryshimit të orës

Bashkimi Evropian ka propozuar këtë të premte një ndryshim ligjor që do t’i jepte fund të ndryshimit të orës mes verës dhe dimrit.
Përmes një konference për shtyp komisionerja e Transportit Violeta Bulc, deklaroi se organi ekzekutiv i BE-së do ta linte në dorën e qeverive në mbarë bllokun për të rënë dakord nëse do të përdorin përgjithmonë kohën e verës apo atë të dimrit.
Ajo shtoi se propozimi parashikon që tetori i vitit 2019 të jetë hera e fundit që evropianët do të duhet të rregullojnë orët e tyre:
“Nëse Këshilli dhe Parlamenti Evropian do të vendosin të mbështesin propozimin e Komisionit, tetori i vitit të ardhshëm do të jetë hera e fundit që ndryshojmë orën. Ose do të qëndrojmë me kohën e verës ose, ato vende që vendosin të përdorin kohën e dimrit, do ta ndryshojnë atë në dimër në tetor”.
Sipas ligjit të BE-së, që nga viti 1996, ka lëvizur koha përpara me një orë të dielën e fundit të marsit dhe mbrapa me një orë të dielën e fundit të tetorit.
Ndërkohë Finlanda, bëri thirrje këtë vit që BE të ndalë këtë praktikë, të cilën kritikët thonë se mund të shkaktojë probleme afatgjata shëndetësore, veçanërisht në mesin e fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve.
Gjithashtu studimet kanë treguar se ndryshimi i orës prish oraret e gjumit dhe mund të ndikojë në produktivitetin në punë. Më shumë se 80 për qind e shtetasve të BE-së duan të shfuqizohet ndryshimi i orës.
Çdo ndryshim do të kërkojë miratim nga qeveritë kombëtare dhe nga Parlamenti Evropian për t’u bërë ligj -një proces që mund të zgjasë deri në dy vjet.




