Bashkimi Evropian forcoi të mërkurën mbikëqyrjen e eksporteve të vaksinave për koronavirusin, duke i dhënë enteve kompetente hapësirë më të madhe për të bllokuar dërgesat në vendet me norma më të larta imunizimi, si Britania, ose në shtetet të cilët nuk ndajnë me të tjerët dozat që prodhojnë.

Vendet anëtare po përpiqen të frenojnë një valë të tretë të epidemisë dhe të rifillojnë programet e imunizimit, të ngadalësuara nga mungesë e dozave, ndërkohë që Britania e ka paralajmëruar BE-në të mos përdorë “nacionalizmin e vaksinave”.

Por komisioneri i tregtisë Valdis Dombrovskis tha se BE-ja nuk ka në shënjestër ndonjë vend konkret. Gjithashtu, Londra dhe Brukseli thanë më vonë gjatë ditës se po punonin për krijimin e një “situate të favorshme” për të zgjeruar furnizimin me vaksina.

Rregullat e reja të shpallura nga Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr politikën tregtare të BE-së, zgjerojnë masat ekzistuese që synojnë të garantojnë se eksportet e planifikuara nga ana e prodhuesve farmaceutikë nuk do të kërcënojnë furnizimin e bllokut me vaksina.

Ato shtojnë 17 shtete të përjashtuara më parë – përfshirë Izraelin, Norvegjinë dhe Zvicrën – në listën e vendeve për të cilat eksportet e vaksinave të prodhuara nga BE-ja kërkojnë leje të posaçme.

Blloku tha se ka eksportuar 43 milionë doza në 33 vende që nga janari, përfshirë Britaninë me 10.9 milionë doza, ndjekur nga Kanadaja, Japonia dhe Meksika.

Komisionerja e Shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides tha se situata në shumë vende të bllokut është “alarmante”, pas rritjes së rasteve në 19 shtete dhe shtimin e vdekjeve në tetë prej tyre.

Vendet e BE-së deri tani kanë vaksinuar me të paktën një dozë rreth 10% të popullsisë së tyre të rritur. Ndërkohë, Britania ka imunizuar me të paktën njërën dozë mbi gjysmën e gjithë të rriturve të vendit.

Vaksina të sekuestruara në Itali

AstraZeneca tha të mërkurën se rreth 29 milion doza vaksinash COVID-19 të gjetura gjatë një inspektimi në një fabrikë të Italisë ishin të destinuara për BE-në dhe për donacione ndaj vendeve të varfëra përmes skemës COVAX të drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Me kërkesë të Komisionit Evropian, forcat italiane të sigurisë inspektuan gjatë fundjavës një fabrikë të firmës Catalent në Anagni, afër Romës dhe gjetën sasitë e vaksinave, sipas gazetës La Stampa.

Kryeministri italian Mario Draghi më vonë konfirmoi raportin e inspektimit dhe tha se disa prej sasive u sekuestruan ndërsa dy prej tyre u dërguan në Belgjikë.

Një sasi e vetme mund të përmbajë një milion doza.

Reagimet e shumta ndaj raportit pasqyrojnë nivelin e mosbesimit brenda BE-së ndaj firmës anglo-suedeze, e cila e uli objektivin e furnizimit për BE-në në 100 milion doza nga 300 milion të parashikuara në kontratën e saj me 27 vendet e bllokut.

Të 29 milion dozat e gjetura në Itali do të ishin të mjaftueshme për të vaksinuar 14.5 milion njerëz.

“Një rezervë prej gati 30 milion dozash është identifikuar pranë Romës gjatë një inspektimi. Tani ajo është sekuestruar,” u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë franceze Gabriel Attal pas një takimi të kabinetit. “BE-ja nuk ka pse të bëhet viktimë e kritikave për vaksinimet”.

Ligjvënësi i BE-së Peter Liese, nga e njëjta parti me Kancelaren gjermane Angela Merkel, tha se lajmi e kishte lënë të habitur dhe i kërkoi AstraZeneca-s të sqaronte situatën.

AstraZeneca tha më vonë të mërkurën, se shumica e dozave në fabrikën e firmës Catalent ishin për BE-në ndërsa pjesa tjetër ishin për vendet e varfëra që furnizohen me skemën COVAX e bashkë-drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Nuk ka plane për eksporte përveç atyre në vendet e COVAX-it. Ka 13 milion doza vaksinash që presin të marrin vulën e kontrollit të cilësisë për t’u dërguar në COVAX,” tha kompania.

16 milionë dozat e tjera do të transportohen në Evropë këtë muaj dhe në muajin prill, tha ai.

Pas komenteve të AstraZeneca, zoti Draghi njoftoi në Parlamentin italian se Presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen i kishte thënë të shtunën se në fabrikën Catalent kishte disa sasi vaksinash që duheshin kontrolluar pasi mungonin në dërgesat e BE-së.

Ai tha se kishte urdhëruar për një inspektim i cili identifikoi “sasi të tepërta”.

“Disa sasi janë konfiskuar sot dhe dy janë dërguar në Belgjikë,” tha ai, duke shtuar se nuk e dinte destinacionin e tyre përfundimtar.

Komisioni Evropian nuk pranoi të komentojë mbi dozat në fabrikë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *