Bashkimi Evropian ka përforcuar edhe më shumë sanksionet kundër Rusisë, duke propozuar paketën e gjashtë, ku ndër të tjera nënvizohet edhe kërkesa për një embargo të plotë ndaj importeve të energjisë.

 

Shefja e ekzekutivit, Ursula Von Der Leyen pranoi se për disa shtete do të jetë shumë e vështirë shkëputja por plani do të zbatohet gradualisht, duke ndërprerë furnizimin me naftën bruto brenda gjashtë muajve dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit.

 

URSULA VON DER LEYEN

PRESIDENTE, KE

 

“Le të jemi të qartë: nuk do të jetë e lehtë. Disa shtete anëtare varen shumë nga nafta ruse. Por ne tani propozojmë një embargo të plotë. Ky do të jetë një ndalim i plotë i importit për të gjithë naftën ruse, në det dhe tubacione, të papërpunuar dhe të rafinuar. Do të sigurohemi që të heqim dorë nga nafta ruse në një mënyrë të rregullt, në një mënyrë që na lejon ne dhe partnerët tanë të sigurojmë rrugë alternative të furnizimit dhe të minimizojmë ndikimin në tregjet globale.”

 

Propozimi do të duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare, ndërsa konsultimet për këtë kanë nisur këtë të mërkurë. Përjashtime janë bërë për Hungarinë dhe Sllovakinë. Të dyja këto vende marrin sasi të mëdha të naftës nga Rusia dhe për shkak të mungesës së rrugëve detare nuk kanë burime të tjera alternative të furnizimit.

 

Krahas embargos së naftës, sanksionet përfshijnë edhe masa të reja ndëshkuese kundër sipërmarrjeve. Të prekura priten të jenë banka më e madhe ruse, Sberbank, dy banka të tjera dhe televizione që shpërndajnë me qëllim informacione të rreme për luftën në Ukrainë. Bankat nuk do mund të përdorin më sistemin financiar të komunikimit SWIFT.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *