Bashkimi Europian vijon të shtojë masat kundër përhapjes së koronavirusit duke ndaluar qarkullimin e njerëzve në zonën shengen për 30 ditët e ardhshme.

Presidentja e komisionit europian Ursula Fon Der Leyen pas një videoconference me vendet e G7, theksoi se qarkullimi i mallrave dhe nevojat mjekësore duhet të vazhdojnë ndërsa të gjitha vendet kanë ashpërsuar veprimet për të ngadalësuar përhapjen e mëtejshme të pandemisë.

 

 

URSULA VON DER LEYEN

 

PRESIDENTE E KOMISIONIT EUROPIAN

 

“BE dhe pjesë të tjera të botës po përballen me një krizë të shëndetit publik pas shpërthimit të koronavirusit i cili po jep edhe një impakt shumë të egër në ekonomitë tona. Gjatë videokonferencës me vendet e G7 theksuam rëndësinë e koordinimit në tejkalimin e kësaj stuhie globale dhe vendosëm që të shmangim të gjitha udhëtimet e panevojshme në zonën shengen për të paktën 30 ditë. Do të ketë përjashtime për stafin mjekësor, shkencëtarët dhe punonjësit e tjerë të kujdesit shëndetësor.”

 

 

Ndërkohë Spanja po përballet me situatën më kritike pas Italisë pasi në vend janë regjistruar 335 të vdekur dhe rreth 9500 të infektuar. Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 2 javë, ndërsa kete të hene gjithë qytetarëve u është këkuar të mbyllen në shtëpi. Bashkëshortja e kryeministrit Pedro Sanchez, Maria Begoña Gómez është e prekur me virusin Covid 19, po ashtu edhe dy ministra të kabinetit.

 

Edhe në Francë shifrat vijnë në rritje, 127 persona kanë vdekur dhe rreth 5500 janë infektuar. Shefi i shërbimit shëndetësor Jérôme Salomon e konsideroi situatën tejet shqetësuese.

 

“Numri i rasteve po dyfishohet ditë pas dite” tha ai, duke shtuar se numri i pacientëve të sëmurë rëndë dhe atyre që kanë nevojë për kujdes intensiv po shkon në qindra. Ai u bëri apel qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, pasi nuk ka një rrugë tjetër më të lehtë për të mbajtur nën kontroll përhapjen e COVID 19.

Të gjitha vendet kanë shtuar masat duke iu përmbajtur rekomandimeve të organizatës botërore të shëndetësisë por ndalimi i qarkullimit dhe mbyllja e kufijve ka lënë shumë njerëz të bllokuar. Për këtë arsye ambasadat duke u koordinuar me autoritetet përkatëse po organizojnë fluturime të dedikuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *