Subscribe

Qeveria tërhiqet nga pasaportat e arta. Vendimi vjen pas paralajmërimit të Bashkimit Europian, se Shqipëria rrezikon ri-kthimin e regjimit të vizave, nëse zbatohet skema e pasaportave për investitorët e huaj.

 

Për BE, nisma është cilësuar si një dëm që i bëhet luftës kundër pastrimit të parave, që vijnë nga trafiku i drogërave dhe krimit të organizuar.

 

JOSEP BORRELL

PERFAQESUESI I LARTE PER POLITIKEN E JASHTME, BE

 

Ne patëm mundësinë të mirëpresim deklaratën e zotit kryeministër që skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej dhe kemi trajtuar çështje të tjera në takimin tonë, sidomos polarizimin e fuqishëm dhe të fortë të mjedisit politik në vend dhe shumë çështje të tjera, të cilat do t’i diskutojë më tepër në detaje Komisioneri Varhelyi.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Përsa i përket pasaportave të arta kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel evropian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Europiane, ne nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do të përfundojë çështja ne Gjykatën Europiane. Nëse Gjykata Europiane vendos kundër pasaportave të arta, kjo është një çështje e mbyllur. Nëse Gjykata Europiane vendor pro, atëherë çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vete.

 

Për amnistinë fiskale, kryeministri Edi Rama në përfundim të këshillit të 12 të stabilizim-asocimit, i mbajtur me dyer të mbyllura, tha se do të vazhdohet përpara, por nën këshillimin e Bashkimit Europian.

 

Edhe për këtë nismë Brukseli, në raportin e fundit të përparimit të reformave në rrugën anëtarësuese të Shqipërisë, nënvizoi se rrezikon luftën kundër pastrimit të parave.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Kemi folur për amnistinë fiskale që është një tjetër temë. Qëndrimi ynë është i ditur. Ne vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit dhe të delegacionit për të na ofruar ekspertizë. Duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Nuk heqim dorë thjesht sepse kjo nuk është një gjë e mirë në parim, sepse ne kemi të gjitha arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por ama nga ana tjetër ne duam që këtë gjë ta bëjmë së bashku dhe prandaj ju falënderojmë për ekspertizën dhe duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut edhe të përmirësimit të drafteve. Sot është një draft komplet tjetër nga ajo që ishte në fillim, falë ekspertizës që ju na keni ofruar.

 

Mbajtja e këshillit të stabilizim-asocimit, për herë të parë jo në Bruksel, por në Tiranë, u vlerësuar nga dy përfaqësuesit e lartë të BE-së, shefi i diplomacisë europiane dhe komisioneri për zgjerimin, si shenjë që Ballkani Perëndimor është i një rëndësie gjeo-politike.

 

OLIVER VARHELYI

KOMISIONERI PER ZGJERIMIN, BE

Ballkani Perëndimor është një përparësi gjeopolitike për Bashkimin Evropian. Duam që ky rajon të jetë sa më shpejt të jetë e mundur pjesë e familjes evropiane.

 

Pasi lajmëroi përgatitjen e një reforme të re në prokurimet publike në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara ky synohet që ky proces të jetë sa më larg dyerve të zyrtarëve të lartë, kryeministri Edi Rama tha se ajo do të sjellë të njëjtin rezultat si reforma në drejtësi.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Partia Socialiste që qeveris, qeveria nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd dhe kjo është një arritje domethënëse e Shqipërisë në një proces kur ne duam tani të hyjmë në një fazë të re me prokurimet publike. Duam të bëjmë të njëjtën gjë dhe po përgatisim një reformë që do të përmbysë tërësisht sistemin e zbatimit të prokurimeve publike që siç vlerësohet edhe nga raportet e Komisionit dhe nga qëndrimet e Këshillit, kanë bërë përparime të konsiderueshme, por heqja e prokurimeve nga duart institucioneve është objektivi ynë dhe për këtë po bashkëpunojmë me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara, UNOPS me të cilët do të paraqesim shumë shpejt një platformë që do të transformojë komplet prokurimet publike dhe nuk do të ketë më zyrtarë të lartë që do të kenë lidhje me prokurimet publike. Ky është një tjetër revolucion që do ta ngrejë Shqipërinë në një tjetër nivel në aspektin e transparencës dhe në aspektin e luftës kundër korrupsionit sepse aty është një nga problemet kryesore.

 

Përfaqësuesit e lartë zgjodhën të mos bëjnë komente për situatën politike në vend, por deklaruan se në Bashkimin Europian nuk ka asnjë diskutim, për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

 

JOSEP BORRELL

PERFAQESUESI I LARTE PER POLITIKEN E JASHTME, BE

Ne i marrim vendimet në Këshillin Evropian dhe duke qenë se kjo i takon politikës si jashtme, që unë jam përfaqësues, nuk kemi asnjë propozim për sanksione për qytetarë shqiptarë.

 

Nga Tirana, Bashkimi Europian i bëri thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që pasi ranë dakord për marrëveshjen, që vendos në normalitet marrëdhëniet mes dy vendeve, në 18 mars në Ohër, është koha që ata të përcaktojnë kohën dhe mënyrën e zbatimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *