Shqipëria firmosi një marrëveshje me Izraelin për një investim miliona eurosh në vendin tonë, që do të mundësojë krijimin e bazës më të madhe digjitale në rajon.
“Investimi që do të realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite këtu e pranishme është një investim strategjik i një rëndësie shumë të veçantë. Bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra miliona euro për të krijuar një bazë të dhënash, një bankë të dhënash digjitale e cila do të jetë në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit baza më e madhe e të dhënave digjitale të rajonit tonë dhe do të ofrojë një platformë shumë tërheqëse për kompani të mëdha në fushën e teknologjisë digjitale dhe përkatësisht në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, përtej hapësirave të zhvillimit në funksion të industrisë dhe në funksion të administrimit tërësor të organizmit të shtetit”, tha Rama.
Ky investim mes TEDA Tirana dhe kompanisë izraelite konsiderohet një mundësi e mirë punësimi për të rinjtë.
“Një punë të shumë mirë paguar sepse filozofia e kompanisë dhe filozofia në tërësi e kompanive që zhvillojnë këto investime dhe zhvillojnë teknologjinë digjitale nuk është gjëkundi e lidhur me koston e krahut të punës, përkundrazi, është e lidhur me cilësinë e krahut të punës dhe në këtë aspekt, pagat nuk bëjnë asnjë dallim, përkundrazi, nuk është çështja sa do të paguhet forca e punës, çështja është sa cilësore do të jetë forca e punës dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë të rejat dhe të rinjtë që janë të investuar në dije në fushën e teknologjisë”, deklaroi kryeministri.
Edi Rama apeloi që inteligjenca artificiale të shfrytëzohet për të fituar kohë në rrugëtimin drejt BE dhe për të ngushtuar hendekun me vendet e zhvilluara.
/vizionplus.tv





