Baste në mes të Tiranës, lokali në Xhamllik kthehet në qendër lojërash të paligjshme, 5 të arrestuar

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër lojërave të fatit të paligjshme, të koduar “Rezultati”, duke vënë në pranga pesë shtetas të përfshirë në organizimin dhe ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Operacioni u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, pas një hetimi të detajuar dhe kontrolleve në terren për identifikimin e ambienteve që shfrytëzohen për vendosjen e basteve sportive në mënyrë të jashtëligjshme.
Në rrugën “Sadik Petrela”, në zonën e njohur si Xhamlliku, u kapën në flagrancë shtetasit:
- Nj. P., 28 vjeç, pronari i lokalit;
- A. Z., 35 vjeç, administratori i lokalit;
- F. Ç., 41 vjeç;
- E. Ll., 36 vjeç;
- E. A., 24 vjeç.
Të pestë shtetasit u kapën duke vendosur baste sportive përmes celularëve, brenda lokalit të përshtatur për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 6 aparate celularë, që dyshohet se janë përdorur për vendosjen e basteve.
Materialet procedurale në ngarkim të të arrestuarve i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e mëtejshëm të veprimeve hetimore.
/vizionplus.tv




