Subscribe

ENKELEJDA MEMA

GAZETARE-VIZION PLUS

Zyrtarizimin e kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilla bashkiakë, Partia Socialiste nuk e la për në orët e fundit. Dy ditë nga përfundimi i afatit, pasdite, në mbledhjen e kryesisë, kryesocialisti Edi Rama vendos për 61 kandidatët me të cilët do të kërkojë fitoren në zgjedhjet e majit.

 

Katër vite pas vendoreve të 2019-ës, Partia Socialiste pritet të garojë në pjesën më të madhe të bashkive me të njëjtët emra.

 

Në bashkitë më të mëdha dhe kryesore, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Lushnje, Lezhë, Berat Korçë, Dibër apo Himarë kryetarëve të bashkive i është besuar një tjetër mandat.

 

Te të mëdhatë ndryshimin e bën Shkodra dhe Vlora. Bastioni historik i së djathtës, shton Vizion Plus, i është besuar deputetit Benet Beci. Me faktorin e shtuar ish-LSI-in Agron Çela dhe aleatin e heshtur Tom Doshi besimi i socialistëve është që për herë të parë pas tre dekadash Shkodra të qeveriset nga të majtët.

 

Pasuesi i të përjashtuarit nga PS-ja, Dritan LelI në Vlorë ende nuk ka një emër përfundimtar. Herët në mëngjes, kryesocialisti Edi Rama ishte atje për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Vlorës.

 

Burime bëjnë me dije se dy emrat e propozuar janë Ermal Dredha një diplomat karriere që në vitet e fundit ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Abu Dahbi dhe Fate Velaj ish deputet.
Nga asambleja është kërkuar që me votë të fshehtë të përzgjidhet kandidati i mundshëm për qeverisjen e Vlorës për katër vitet e ardhshme.

 

Në më pak se 20 bashki, kryesisht të vogla socialistët do të garojnë me emra të rinj. Radhëve të deputetëve do t’i largohet edhe Besjan Ajazi. Ai do të hyjë në garë për të fituar bashkinë e Gramshit.

 

Me arrestimin në ditët e fundit të Lefter Allës, ish-kryebashkiakut të Bulqizës mbetet për t’u zyrtarizuar në mbyllje të kryesisë se kush do të jetë pasuesi.

 

Në vendoret e pranverës partia në pushtet është deklaruar në fitoren e 45 bashkive, madje në disa prej tyre me një rezultat të thellë.

 

ENKELEJDA MEMA-GAZETARE

Po aq me interes janë edhe emrat për këshillat bashkiakë. PS është zotuar se ato do të jenë në shumicë figura që gëzojnë pëlqyeshmëri në komunitet dhe përfaqësojnë profesione të ndryshme, si mjekë, mësues, inxhinier apo specialistë të ndryshëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *