Subscribe

Nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjellje pemësh i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës “Besnik Sykja” të cilët në ditën e tyre të pushimit zgjodhën të kontribuojnë për një qytet të gjelbër. Erion Veliaj tha se synimi i nismës është që deri në vitin 2030 në kryeqytet të jenë mbjellë 2 milionë pemë.

“Do fillojmë punën që sot, dhe do të shfrytëzojmë çdo ditë, deri sa toka të jetë e përshtatshme për mbjellje. Sa të ketë shira dhe të ketë mjaftueshëm lagështirë, do të shfrytëzojmë çdo ditë për të mbjellë qindra pemë të tjera e për t’u siguruar që edhe këtë vit e kalojmë atë nivelin 150 mijë pemë në vit, për të mundësuar që deri në 2030 të kemi mbjellë 2 milion pemë në Tiranë”,  tha Veliaj.

Veliaj ftoi të gjithë qytetarët të japin kontributin e tyre për një qytet më të gjelbër dhe me më shumë oksigjen.

 “Ftesa për të gjithë qytetarët është: Lini një shenjë. Mund të jetë një pemë në oborrin tuaj, në lagjen tuaj, në një nga ambientet publike. Për shumë prej kompanive që kanë para për marketing, një spot për 30 sekonda e harrojnë të gjithë, ama një pemë që do të jetë këtu 30, 40 vitet e ardhshme, do të jetë një kontribut për të gjithë. Secili sipas mundësive të mbjellë pemë, që të kemi mundësi të kapim targetin që i kemi vënë vetes për 150 mijë pemë në Tiranë për këtë sezon”,  u shpreh kryebashkiaku.

Fushatës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve i janë bashkuar edhe mjaft personazhe të njohur, të cilët kanë zgjedhur që të bëjnë dhurata ndryshe për familjarët e tyre, duke u lënë atyre një kujtim të veçantë në qytet. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *