Subscribe

Banorët e Lundrës, por edhe të gjithë nxënësit që shkojnë në një nga 4 shkollat e zonës, shumë shpejt do të kenë akses të drejtpërdrejtë në autostradën Tiranë-Elbasan. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet teksa u shpreh se falë këtij by-passi, i jepet zgjidhje banorëve dhe bizneseve të zones.

 “Bëhet fjalë për të lidhur gjithë zonën e Lundrës, për të mos kaluar nga Rezervat e Shtetit, por e gjithë zona rezidenciale dhe 4 shkollat, plus edhe dy qendrat tregtare, si private, si publike, të kenë akses direkt në autostradën Tiranë-Elbasan. Për të gjithë ata që kanë punë në Tiranë apo në Elbasan, por jetojnë në këtë zonë të ndërmjetme, ky është një by-pass që e zgjidh jashtëzakonisht mirë këtë problematikë. Ftesa për të gjithë ata që janë duke punuar në zonë është që të sigurohemi që – teksa po punohet te rruga e Agallarëve, te ky by-pass mes Lundrës e Autostradës, te Liqeni i Farkës – të mos ndërpritet jeta dhe normaliteti në zonë”

Veliaj nënvizoi se falë investimeve dhe përmirësimit të infrastrukturës, tashmë kjo zonë është kthyer në një nga zonat më të lakmuara në kryeqytet.

“Zona e Lundrës është një zonë që nisi kryesisht si zonë rurale, pastaj filloi me rezidencat, sot jo vetëm ka qendra tregtare private, por qendra tregtare publike, apo edhe 4 shkolla private, që kanë ardhur ndër vite, apo edhe një ekspansion i jashtëzakonshëm që ka ndjekur autostradën dhe Unazën e Madhe, dhe që e ka bërë këtë një ndër zonat më të lakmuara të Tiranës. Sigurisht, ne patjetër marrim taksa dhe mbledhim fonde e kontribute nga ata që fitojnë më shumë, për t’u siguruar që në çdo lagje periferike, nevojës ne i përgjigjemi me investim shumë cilësor dhe shumë dinjitoz”

Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të mos u bërë pengesë e projekteve zhvilluese ndërsa u siguroi se pas pushimeve të verës, ata do të shohin një transformim pasi kjo rrugë do të shërbejë si rrugë lidhëse midis zonës së Terminalit Juglindor dhe rrugës së Elbasanit nga njëra anë me një sërë rrugësh tretësore të tjera, komplekse banimi, shkolla etj./vizionplus.tv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *