Subscribe

Pas Bankës Evropiane për Zhvillim, Bashkia e Tiranës nënshkroi të enjten një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve, për një paketë financiare në formë granti dhe kredie.

 

Sipas Bashkisë kjo paketë do të shkojë për realizimin e projekteve me impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë urbane të kryeqytetit.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi fantastike marrëdhënien e Bashkisë së Tiranës me organizmat ndërkombëtarë.

 

“Jam shumë i lumtur dhe ndihem jashtëzakonisht mirë që ia kemi mbërritur ditës që Bashkia e Tiranës të ketë një bashkëpunim konkret me Bankën Evropiane të Investimeve. Gjithmonë i bëjmë pyetje vetes çfarë është Evropa: është vetëm një familje politike apo edhe një familje ekonomike? Apo është ndoshta një familje solidare? Ky është një moment fantastik ku në hyjmë në një raport special të një pakete financiare 11 milionë euro e gjysmë, për Bashkinë e Tiranës. Një pjesë është marrëveshje grant, një pjesë tjetër është kredi, sepse besoj që Tirana ka nevojë të trajtohet si një partner serioz”, tha Veliaj.

 

Sipas Veliajt, Bashkia e Tiranës sot është e aftë të mbledhë të ardhurat dhe t’i shndërrojë ato në investime në të mirë të komunitetit.

 

“Sot ekonomia e qytetit është më e lartë, sot bashkia është më e aftë të mbledhë taksa, do të thotë që edhe të hyjë në marrëdhënie me kreditorë, që më përpara i konsideronte një tabu sepse nuk kishte mundësi financiare. Kemi përzgjedhur projekte me impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë urbane të Tiranës në transport, në lëvizshmëri, në sistemimin e rrjetit ujor, në parandalimin e përmbytjeve, dhe besoj se është fillimi i një marrëveshjeje dhe i një marrëdhënie afatgjatë”, deklaroi Veliaj.

 

Më tej, Veliaj vlerësoi bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe Bankës Evropiane për Investim për të punuar për një Tiranë evropiane, si në infrastrukturë, ashtu edhe në kulturë.

 

“Në të ardhmen duam të punojmë më shumë për lëvizshmërinë, transportin publik, gjelbërimin dhe pyllin orbital. Por, ky është një fillim shumë i mirë, dhe besoj se si hera e parë që Bashkia e Tiranës hyn në marrëdhënie kaq serioze me Bankën e Bashkimit Evropian, kemi punuar në kohë rekord. Dua t’i falenderoj të dyja skuadrat, kanë punuar si një e vetme, nuk kam dalluar dot kush ka qenë skuadra evropiane dhe skuadra shqiptare, por është punuar me një qëllim, për ta bërë Tiranën akoma më të mirë, për ta bërë një qytet realisht evropian, si në infrastrukturë, edhe në kulturë”, tha Veliaj.

 

Ndërsa përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve, Matteo Rivellini vlerësoi Bashkinë e Tiranës për këtë bashkëpunim dhe shprehu bindjen se falë këtij projekti, Tirana do të jetë edhe më e bukur.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *