Subscribe

Votimi i amnistisë penale duket se ka thelluar çarjen mes dy pjesëve të Partisë Demokratike; atë që drejtohet nga Lulzim Basha dhe atë që drejtohet nga Sali Berisha. Nënkryetarja e PD Flutura Açka shpjegoi se procesi i amnistisë jo vetëm ishte jo transparent, por në thelb ligji duke falur personat e dënuar nga gjykata e posaçme ishte një puc ndaj parlamentit. Për këtë arsye kryesia e PD së drejtuar nga Lulzim Basha miratoi një rezolutë për të përsëritur mbështetjen ndaj SPAK-ut.

“Ishte mirëfilli një minim i asaj për të cilën ne kemi kaq kohë që flasim dhe kaq kohë që luftojmë. Të amnistosh, akoma pa dhënë rezultatet e para SPAK-u, të sjellësh amendamente që ndikojnë në punën e SPAK-ut, kjo jo vetëm për ne si deputetë në tërësi  por sidomos për opozitën është minus i madh para shqiptarëve, unë kështu e kam parë”,

Rezoluta e miratuar nga demokratët e drejtuar nga Lulzim Basha përveç mbështetje për SPAK-un përfshiu edhe reformën zgjedhore dhe rëndësinë që kanë për PD listat e hapura, sistemi proporcional kombëtar e vota e diasporës. Por nënkryetarja Açka përsëriti se PD nuk behet pjese e grupit të punës që ka për detyrë realizimin e kësaj reforme

“Mua më duket me këtë platformë është sikur ta kalosh parlamentin në një birë, në një skutë ku nuk është e hijshme për asnjërin prej nesh. Dhe pikërisht kjo tryezë me 6 vota të vendosë për fatet e reformës zgjedhore, për fatet e zgjedhjeve të ardhshme mua më duket se diçka është shembur në trupin e këtij që quhet parlamenti i Shqipërisë”, tha Açka.

Në këtë situatë për zonjën Açka një koalicion me demokratët e drejtuar nga Sali Berisha është pothuaj i pamundur

“Ne i kemi bërë shumë të qarta vijat tona të kuqe, dhe janë bërë të qarta në 9 shtator 2021 dhe nuk mund të ndryshojmë dhe i jemi mbajtur parimisht kësaj gjëje. Çështja është çfarë do të bëjë pala tjetër e cila ka dy vite që vetëm sulmon këtë pjesë të PD që u ka bërë të qartë shqiptarëve që kompromise me çështjen e non gratës ne nuk mund të bëjmë dot”, shtoi Açka.

Nënkryetarja Flutura Açka shpjegoi se strategjia e elektorale e PD do të fokusohet tek të gjithë ata qytetarë që nuk votojnë që deri më tani e kanë refuzuar klasën politike duke u premtuar një qasje ndryshe me deputetët me integritet që politikanë që japin llogari para zgjedhësve./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *