Lideri i opozitës Lulzim Basha i ka kthyer nje përgjigje te ashpër përfaqësueses se larte te BE Federica Mogherini, e cila nje dite me pare artikuloi si kusht te vetëm per hapjen e negociatave zbatimin e vettingut. Nga çadra e vendosur para selisë se kryeministrisë, kreu i PD Basha, deklaroi se nuk mund te ketë hapje te negociatave pa zgjedhje te lira dhe çdo deklarate tjetër është broçkull.
“Erdhën këtu personalitetet europiane dhe u treguan qartë shqiptarëve se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa luftë kundër krimit, pa luftë kundër drogës, pa luftë kundër korrupsionit dhe pa drejtësi të vërtetë e të pakapur, dyert e Europës nuk mund të hapen për Shqipërinë. Ju e dëgjuat këtë mesazh. E gjithë bota e dëgjoi këtë mesazh tani po na thonë bëjeni vetingun se do të hapim negociatat. Kësaj në shqip i themi broçkulla, në anglisht ka një fjalë, bullshit”.
Basha ka replikuar ne distance me rivalin politik Rama per çështjen e vettingut, duke e akuzuar se kërkon te vendose nen kontroll drejtësinë.
“Prandaj u fut sot në çadrën e korrupsionit të shoqërisë civile, çadrën e bërë njësh me krimin, çadrën e bërë njësh me korrupsionin, për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve. Nëse e do vetingun hap rrugën për qeveri teknik dhe do të ketë veting të vërtetë me prokurorë dhe gjyqtarë të pakapur që do të nisin menjëherë investigimet për korrupsionin, krimin dhe politikën e lidhur me të”.
Ne lidhje me negociatat per zgjidhjen e situatës politike, Basha ka përsëritur se kushti kryesor është krijimi i nje qeverie te re.
“Nuk ka bisedime, nuk ka negociata, ka vetëm dialog për të përcaktuar largimin e tyre dhe ardhjen e një qeverie teknike, teknike që padyshim kërkon mbështetje dhe vullnet të gjërë politik. Por, do të jetë qeveri teknike, nuk do të negociojmë futjen tonë në qeveri, jo. Ne do të jemi opozita derisa qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë dhe të ndershme do të vendosin se kush do të qeverisë në këtë vend”.
Ne ditën e 15 te protestës, lideri i opozitës theksoi vendosmërinë per te qëndruar para kryeministrisë deri ne plotësimin e te gjitha kërkesave qe garantojnë zgjedhje te lira e te ndershme.





