Basha: Tirja, prodhim i qeverisjes së Edi Ramës
Kreu i PD, Lulzim Basha fajësoi qeverisjen socialiste për fenomenin “Tire”. Ai tha për mediat se gjatë tetë viteve në qeveri, kryeministri Edi Rama dështoi t’u ofronte një shëndetësi më të mirë shqiptarëve.
“Tirja është produkti i vetëm i Edi Ramës në 8 vite. Pse? Sepse vetë Edi Rama është krye-Tirja. Është zhvatja e qytetarëve pa iu dhënë shërbim. Të merr lekët dhe nuk të jep bukën, kjo është me pak fjalë qeverisja e Edi Ramës për 8 vite me radhë. Tani në fund të 8 viteve del dhe rri 3 orë në ekran për të treguar çfarë do bëjë. Po kishte 8 vjet në dispozicion, kishte një premtim madhor me të cilat mori votat, shëndetësia falas. 2 muaj para se të largohet me votën e shqiptarëve del dhe bën shpikje të tjera, pse? Për t’ju kundërvënë programit tonë, planit tonë për shëndetësinë? Që është një plan realit dhe rruga e duhur për ta nxjerrë sistemin shëndetësor nga kriza ku e zhyti Edi Rama për 8 vite me radhë.. Vetëm dështime, nuk bëri asgjë.”
Po ashtu, lideri demokrat përsëriti akuzat se po fshihen të dhënat për pandeminë.
“Ka vetëm një njëri përgjegjës pse ka ardhur situata këtu pasi i mbajti shqiptarët 3 muaj në karantinë. Është njeriu i cili refuzoj të bënte testime. Edhe sot po të shikoni përqindja e pozitivitetit në testime është në shifra rekord për Europën, pse? Sepse Edi Rama gjatë gjithë kohës së pandemisë ka ndjekur një filozofi, ta përdorë pandeminë politikisht dhe financiarisht dhe të fshehë të vërtetën para shqiptarëve, por e vërtet nuk fshihet, e vërteta është para syve tanë.”
Lulzim Basha tha se nga kjo krizë Shqipëria mund të dalë vetëm përmes planit të PD.




