Subscribe

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka kërkuar dënimin me 22 vite burg për çdo deputet apo kryetar bashkie që zgjidhet me ndihmën e grupeve të krimit të organizuar. Në një postim në rrjetet sociale, Basha ka publikuar nismën e re të PD për të luftuar fenomenin e ndikimit të krimit në zgjedhje, duke ndërhyrë në Kodin Penal bazuar mbi modelin italian.

 

“Kushdo që pranon drejtpërdrejtë apo nëpërmjet ndërmjetësve, premtimin për të fituar vota nga elementë të krimit të organizuar, në shkëmbim të parave apo favoreve të tjera, dënohet me 15 vite burg. Nëse politikani, i përfshirë në një skemë të tillë, zgjidhet, ai dënohet me 22 vite burg.”

 

Sipas propozimit të PD, një politikan që përfshihet në të tilla skema, i ndalohet përjetë ushtrimi i funksioneve publike.

 

Ky mekanizëm është në funksion prej 6 vitesh, pasi ligji i dekriminalizimit çdo politikani të dënuar për krime zgjedhore i ndalon të drejtën për të mbajtur funksione publike për një periudhe prej 20 vitesh.

 

Mësohet se nisma do të shqyrtohet në kuadër të reformës zgjedhore.

 

Por një gjë bie në sy në aksionin e opozitës në 3 muajt e fundit; ajo ka depozituar një sërë nismash në Parlament, të cilat pothuaj nuk kanë prodhuar asgjë.

 

Dy Komisionet Hetimore nuk kanë shkuar përtej planit të hetimit, Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk po ngrihet, pasi socialistët kërkojnë ndryshimin e objektit të punës; nismat për vettingun në politikë e ndryshimin e sistemit duket qartazi se do të rrezohen.

 

E në këtë situatë, pak gjasa ka që propozimi për dënimin me 22 vite burg të marrë dritën jeshile në Parlament.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *