Në kuadër të vizitës zyrtare të zhvilluar në Kosovë këtë të hënë, kryedemokrati Lulzim Basha i shkoi në zyrë edhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai ndau me të shqetësimin për pandeminë, menaxhimin e situatës, por edhe për të shmangur largimin e të rinjve.

“U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë.”

Kreu i opozitës garantoi Kurtin se PD do të jetë në krah të Kosovës, si tani që është në opozitë, ashtu edhe kur të jetë në pushtet.

“E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t’i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj. Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.”

Basha mbajti edhe një konferencë të përbashkët mediatike me kryeparlamentaren Vjosa Osmani. Këtë moment ai e shfrytëzoi për t’ju kërkuar kosovarëve që të bëjnë turizëm në Shqipëri.

“Iu bëj thirrje shqiptarëve të Kosovës t’i drejtohen plazheve të Shqipërisë, sepse janë plazhe të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Jo vetëm kombinimi i nxehtësisë me bukurinë natyrore, por edhe çmimet janë një tjetër arsye për t’u afruar. Mund t’iu them se sektori i mikëpritjes turistike shqiptare është i përgatitur. Sytë i kemi nga vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Jam i brengosur për disa gjëra, si taksat e rrugës së kombit që nesër do i korrigjojmë, dua të ripërsërit thirrjen edhe në emër operatorëve që ju presim me krahë hapur. Do të ndiheni si në shtëpinë tuaj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *