Lulzim Basha ka shfrytëzuar një takim me këshilltarët e PD në njësitë vendore për të akuzuar kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliajn për korrupsion. Basha deklaroi se këto 9 vite kanë treguar jo vetëm se reforma territoriale ka dështuar, por fenomeni i korrupsionit siç ishte rasti i dosjes “5 D” ka rritur nivele që nuk ishin njohur më parë
“Një grup i strukturuar si ai i bashkisë së Tiranës, rriti taksat dhe këto taksa i kanalizoi në xhepat e një grushti njerëzish që janë drejtorët e kryetarit të bashkisë. Me një filozofi të pastër vetëshërbimi. Taksat i marrim nga qytetarët dhe në vend që t’i kthejmë tek qytetarët, i bëjmë pasuri tonat, i bëjnë hotele, i zhvasin dhe i depozitojnë në llogari bankare. Pra, një skemë e pastër mafioze”, tha Basha.
Sipas Bashës në këtë situatë detyra e çdo anëtari në këshillat bashkiak është denoncimi i çdo rasti korruptiv
“Hapi i parë është që me zë të lartë dhe me kurajo të denoncojmë gjithçka që ndodh në bashkitë e vendit në kundërshti me ligjin. Gjithçka që lidhet me korrupsionin masiv me taksat e shqiptarëve, me zaptimin e pronave publike dhe private, me bashkëpunimin e ngushtë me krimin e organizuar, me abuzimin me trojet, me tokat, me pyjet, me kullotat dhe natyrisht me mungesën totale të shërbimeve dhe investimeve në infrastrukturë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër Basha ka premtuar se PD do të hartojë një program elektoral ku si pikë kryesore do të jetë mirëqeverisja e lufta kundër korrupsionit. /vizionplus.tv





