E diel, 27 Shtator 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Basha sulmon ashpër Berishën/ “Synon që shtëpinë e lirisë t’ia dorëzoje Ilirit”

Lulzim Basha ka akuzuar liderin historik të demokrateve se synon t’i dorëzojë PD Ilir Metës.

 

Pas zyrtarizimit të koalicionit mes Komisionit të Rithemelimit, LSI dhe PDK, Basha ka shfrytëzuar një takim me demokratët e kryeqytetit për të sulmuar këtë aleancë si provën se Ilir Meta do të marrë Partinë Demokratike.

LULZIM BASHA
KRYETAR I PD
“E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?!”

 

Sipas Bashës, caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme është një provë se kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë pjesë e së njëjtës aleancë.

“Gjetën sebep për procesin e 6 Marsit. Shikoni si kanë dal hapur, hapur fare. Atë që ua kam thënë, sa muaj ka që ua kam thënë? Nuk bëhet fjalë për luftë, për parime, bëhet fjalë për hallin që i lidh bashkë. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar.”

 

Gjatë takimit Basha ka rikthyer deklaratën e tij të hershme kundër ndryshimeve kushtetuese të miratuar në vitin 2008 me konsensus mes Berishës asokohe kryeministër dhe Edi Ramës si lider i opozitës.

“Meqë akuzohem unë për marrëveshje, ajo është marrëveshja e marrëveshjeve, shkatërrimi i Kushtetutës në 2008-ën për përjetësuar sundimin e pushtetarëve. Për të shkatërruar pavarësinë e institucioneve, për të zvogëluar përfaqësimin. “

 

Basha ka përsëritur se do të dëshironte një sistem zgjedhor mazhoritar.

 

“Dhe ai përfaqësues ta dinte mirë që para se gjithash, e mbi të gjitha, kryetar mbi kryetar ka gjithsecilin prej jush, ose familjet tuaja. E të ushtronte presion maksimal në qeveri, në ministri, në institucionet përkatëse, kudo ku bëhet padrejtësi, të shkonte t’ia vente vetë gjoksin padrejtësisë? Kudo ku planifikoheshin investimet, të shkonte t’i binte derës, të thoshte duhen investime për zonën? Kështu ndodh në vende normale, prandaj kemi propozuar prej kohësh sistemin e përfaqësimit të drejtpërdrejt, përfaqësimit mazhoritar. “

 

Pavarësisht se në deklarata publike ndër vite Basha është shprehur shpesh në favor të një sistemi mazhoritar; kërkesa zyrtare e PD në parlament nuk ka asnjë fjalë për mazhoritarin. Ne 20 tetorin e vitit të kaluar, PD ka depozituar në parlament kërkesën për të ndryshuar 7 nene të Kushtetutës, mes tyre edhe sistemin zgjedhor.

 

Por në këto amendime bie në sy se Basha ka propozuar sërish sistemin proporcional rajonal, duke synuar thjesht të zhbëjë ndryshimet e realizuara nga mazhoranca për ndryshimin e modelit të koalicioneve.

Më shumë video