Subscribe

Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha takoi misionin e ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, takim ku për herë të parë mungoi eksperti i zgjedhjeve në PD, Oerd Bylykbashi, i cili ishte në Durrës në krah të Sali Berishës.

Edhe pse publikisht Basha shmangu çdo koment për lëvizjen e ish-kryeministrit Berisha dhe mbështetësit e tij, kryetari i PD ka dhënë sinjale të qarta, duke mos i besuar Oerd Bylykbashit reformën zgjedhore, të cilën e ka drejtuar gjithnjë prej vitit 2013 dhe duke ia kaluar atë Enkelejd Alibeajt.

“Partia Demokratike është e përkushtuar për të bërë gjithçka për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Armiku i vetëm i Partisë Demokratike, është armiku i shqiptarëve, është regjimi i instaluar dhunshëm më 25 prill.”

Basha preferoi të fokusohet tek takimi me shefin e misionit të ODIHR, Gaçek dhe problematikën e zgjedhjeve të 25 prillit, për të cilat tashmë është publikuar raporti përfundimtar i ODIHR.

Ky raport fakton masakrën zgjedhore. Fakton vrasjen e demokracisë në Shqipëri me 25 Prill. Mjafton të shikoni fjala bie, rekomandimin 2, ku thotë: shteti duhet të garantojë lirinë dhe sekretin e votës dhe se njerëzit duhet të votojnë të lirë nga frika apo ndëshkimi, nëse merret vesh se kanë votuar apo jo, apo për kë kanë votuar dhe ta kuptosh që po të heqësh fjalën Shqipëri nga raporti ky mund të ishte fare mirë raporti i një procesi votimi në Bjellorusinë e Lukashenkos.”

Basha ka konfirmuar se PD do të depozitojë në parlament kërkesën për fillimin e punës për reformën zgjedhore, por ndryshimi i ligjit për PD nuk mjafton.

“Qartësisht në këtë vend nuk duhet thjeshtë një reformë zgjedhore, por duhet një shkundje e thellë në mënyrë që instrumentet e regjimit të mos funksionojnë më dhe vendi të kthehet në demokraci.”

Misioni i ODIHR gjatë vizitës në Tiranë ka takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri. Gjatë këtij takimi, Gjiknuri ka garantuar se Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën, si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *