Basha: Rezultati i zgjedhjeve, i papranueshëm! Vullneti i qytetarëve u deformua

Partia Demokratike e cilëson të papranueshem rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, pasi sipas saj procesi u deformua. Këtë qendrim iu ka përcjellë Lulzim Basha kryetarëve të degëve të PD-së, mëson Vizion Plus.
Gjatë mbledhjes, lideri demokrat iu ka kërkuar gjithashtu që të mbledhin prova për çdo parregullsi të procesit.
“Rezultati i zgjedhjeve është i deformuar dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve. Për ne është i papranueshëm sa kohë nuk pasqyron vullnetin e lirë të qytetarëve”, ka deklaruar Basha gjatë takimit me kreret e degëve.
Nga ana e tyre, kreret e degëve pohojnë se Basha gjatë takimit ka folur për mosnjohjen e zgjedhjeve.
Nesër në orën 18:00, Basha do të mbledhë deputetët që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet procesi i zgjedhjeve, por deri më tani nuk ka dilema se PD në shtator do të jetë në Parlament.
Nga ana tjetër, Basha ka njoftuar se javën e ardhshme do të nisë një tur për të takuar demokratët në të gjithë vendin.




