Subscribe

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka sulmuar nga Kopliku kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar se prej 8 vitesh po mban peng vendin. Gjatë një takimi me banorët e këtij qyteti, Basha deklaroi se rivali politik nuk ka mbajtur asnjë premtim edhe pse ka qeverisur Shqipërinë për 2 mandate.

 

“Një njeri i vetëm që ka 8 vite që e mban peng vendin, një njeri që i ka shndërruar bukuritë e mahnitshme të Malësisë së Madhe, të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë pasuri private për veten e vet dhe një grusht njerëzish. Një njeri që e bëri politikën fjalë të pisët sepse erdhi me premtime të mëdha dhe me paturpësinë më të madhe i braktisi ata. Kjo do të mbahet mend si fushata e parë dhe zotohem e fundit kur  kryeministri u kthye në satelit të kryeministrit të ardhshëm.”

 

Në Koplik, Basha ka percjellë mesazhin se 25 prilli është dita e ndryshimit.

 

 “Koha e tij ka mbaruar dhe sot e di Malësia e Madhe, e di Shkodra, e di gjithë Shqipëria. Sot do të keni nënshkrimin tim, kontratën time për një nga aktivitetet kryesore të cilat do të rikthejë punësim, mirëqenie dhe para në xhepat tuaj dhe të gjithë banorëve të kësaj zone që ka të bëjë me bimët medicinale.”

 

Gjatë takimit me kultivuesit e bimëve medicinal, Basha premtoi 100 milionë euro subvencione për bujqësinë.

 

 “Në bazë prodhimit, në bazë sipërfaqes që kultivon më një sasi apo me një shumë monetare për çdo ton prodhimi që do të disbursohet përmes një mekanizmi të digjitalizuar që do të shmangë kontaktin korruptive midis zyrtarëve rajonalë, drejtorive përkatëse dhe fermerit shqiptar. Duke eliminuar çdo burokraci, dhe kur them çdo burokraci kam parasysh ato halle të pazgjidhura që fillojnë që nga certifikatat e pronësisë, tokat  e deri tek NIPT-et ku për fermerin shqiptar numri personal i identifikimit do të përbëjë në të njëjtën kohë edhe NIPT-in e tij.”

 

Sipas Bashës, kultivimi i bimëve medicinale është një sektor që duhet mbështetur.

 

“Shumë e shumë kultivarë të tjerë medicinale apo erëza, me çmime siç e them edhe një herë të cilat justifikojnë plotësisht investimin që ne do të kryejmë sepse do na kthehet dhjetëfish, 15, 20-tridhjetëfish si mirëqenie për fermerin, si mirëqenie për mbledhësin, grumbulluesin, përpunuesin dhe eksportuesin. Pra, si mirëqenie për ekonominë kombëtare. Potenciali është të shkojmë nga 57 në 570 milionë, në një miliardë, në dy miliardë të ardhura vetëm nga këta kultivarë. Imagjinoni se çfarë do të thotë kjo për bilancin tregtar të vendit, imagjinoni se çfarë do të thotë kjo për familjet e këtyre zonave.”

 

Basha ka theksuar se bujqësia do të jetë në qendër të vëmendjes së PD nëse fiton zgjedhjet në 25 prill.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *