Ndarja nga jeta e arkitetktit të njohur Maks Velo ka trishtuar edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai i shprehu ngushëllimet familjes Velo dhe të gjithë shqiptarëve që sot humbën “intelektualin e shquar dhe desidentin e paepur ndaj çdo despotizmi”.

Lideri demokrat shkruan në “Facebook” se Maks Velo do të mbetet një nga shembujt më spikatës të disidencës antikomuniste shqiptare.

“Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Maks Velos, artistit shumëdimensional, kritikut dhe qytetarit të madh. Me angazhimin e tij të hershëm në modernizimin e shoqërisë sonë, Maks Velo do të mbetet një nga shembujt më spikatës të disidencës antikomuniste shqiptare. Maks Velo ishte dhe do të mbetet një misionar i pakompromis me artin dhe desidencën e tij të mishëruar në telajo, arkitekturë dhe në libra. Ai nuk rreshti kurrë së denoncuari çdo përpjekje për restaurimin e pushtetit të nomenklaturës.”

Basha theksoi se veprat e tij artistike do të jenë gjithmonë frymëzim për të rinjtë dhe gur i çmuar themeli për artin modern shqiptar.

“Largimi i Maksit lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë tonë. Por thesari artistik dhe qytetar i veprave të tij do të jetë gjithmonë frymëzim për të rinjtë dhe gur i çmuar themeli për artin modern shqiptar. I shpreh ngushëllimet e mia familjes së Maks Velos në këtë ditë të dhimbshme për ta dhe gjithë shqiptarët që humbën intelektualin e shquar dhe desidentin e paepur ndaj çdo despotizmi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *