Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sulmoi PS-në  për deformim të vullnetit të zgjedhësve përmes blerjes së votës.

 

Në një dalje për mediat nga selia blu, lideri demokrat tha se ata nuk hynë në këtë betejë me një kundërshtar politik, por me një regjim që sipas tij bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale.

 

Po ashtu, ai përmendi edhe bashkëpunimin e PS me Tom Doshin, të cilin e quajti përfaqësues të krimit që ka gjithë botën demokratike kundër.

 

“Të dashur shqiptare dhe shqiptarë, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj. Teksa muzgu i kësaj mbrëmje po bie mbi qytetet dhe fshatrat tona, mbi malet dhe luginat e Shqipërisë, një tjetër hije po avitet në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve anembanë këtij vendi dhe kudo ku ndodhen.   A është ky muzgu i shpresës dhe ëndrrës për ndryshim, për Shqipërinë demokratike normale dhe të zhilluar, për Shqipërinë Europiane. Kemi shumë vite që luftojmë për demokracinë. U deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist, por ne ia dolëm. Ia dolëm sepse jemi njerëz të fortë, jemi një popull që beson tek demokracia.  Beteja jonë për demokraci ka vijuar pandërprerë çdo cast, çdo ditë, anembanë Shqipërisë.  Edhe këto muaj, ne luftuam për demokracinë. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do ti kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale.   Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve.  Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median, duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale.  Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij. Dhe pavarësisht gjithë kësaj – ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *