Para mbështetësve të PD, kreun demokrat, Lulzim Basha u zotua për të sjellë ndryshimin.

 

Në çelje të fushatës elektorale nga sheshi “Nënë Tereza”, Basha deklaroi se shqiptarët janë të lodhur nga kjo qeveri.

 

Sipas tij, diçka të tillë ja kanë transmetuar vetë qytetarët gjatë takimeve që ka patur me ta. Ai premtoi se ka një plan serioz për të sjellë ndryshimin.

 

“Me bashkimin tonë për ndryshim do të fitojë Shqipëria dhe çdo shqiptar. Edhe 31 ditë,  vetëm 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndyrshimit të Shqipërisë, të zhvillimit, të punësimit, të mirëqenies dhe të integrimit të saj në familjen tonë evropiane. Më shumë se kurrë duhet të mbrojmë dhe vendosim në vendin e duhur krenarinë tonë të kahershme si shqiptarë. Duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim dhe zbrazje që po i ndodh sot Shqipërisë. Jemi sot këtu si përgjigje e thirrjes së saj për të ndalur dorën që zhvat pasuritë e kombit, dorën që vret shpresat e shqiptarëve dhe mendjen e errët që kërkon të mbjellë frikën në zemrat e bashkëatdhetarëve tanë. Është një rrugëtim i vështirë, të cilin ne e kryejmë me përgjegjësi dhe një gëzim të brendshëm sepse jemi të vetëdijshëm që puna jonë është një sakrificë për shqiptarët, për kombin. Po luftojmë kundër një grushti njerëzish që janë gati të bëjnë gjithçka, vetëm për të mbajtur karriget e tyre. Por në të vërtetë ata nuk na qeverisin, por ju shërbejnë vetes dhe ortakëve të tyre. Pas 8 vitesh zhgënjime, mashtrime, shumëkujt i ka humbur besimi. Shumëkush mendon se ky vend nuk ndryshon. A është kjo ajo që ne meritojmë? Jo! Nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë shumë më shumë. Ne jemi sot para jush për t’jua bërë të qartë të gjithëve që ne shqiptarët meritojmë më shumë dhe do të bëjmë shumë më shumë për njëri-tjetrin dhe Shqipërinë. Kam ndjerë etjen për ndryshim, kam prekur me duart e mija shpresën, kam folur, kam shpjeguar se gjërat mund të shkojnë më ndryshe dhe më mirë. Ndryshimi po vjen, ndryshimin do ta sjellim. Kam lexuar në sytë tuaj një frymëzim për të ecur përpara. Kemi përgatitur dhe kemi gati për zbatim plane serioze pune që do të ndryshojnë jetën e shqiptarëve sepse ne do të sjellim një qeveri që kujdeset për ju, për Shqipërinë tonë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *