Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi nga qytetarët që të mos fshehin asgjë nëse dyshojnë se janë prekur nga koronavirusi. Teksa ngushëlloi familjarët për humbjen e 73-vjeçares nga koronavirusi, kryedemokrati tha se qytetarët duhet të bashkëpunojnë me mjekët.

 

“Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e saj, dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë. Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e, në veçanti, bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë. Bashkëpunoni me mjekët dhe jini transparentë, tregoni menjëhere nëse keni ardhur nga Italia, nese keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi.”

 

Lulzim Basha nënvizoi se nëse dikush i prekur nga koronavirusi e fsheh këtë gjë, atëherë rreziku do të rritet.

 

“Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore. E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët. Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet t’i ndihmojmë me bashkëpunimin tonë.”

 

Më herët reagoi edhe presidenti Ilir Meta për 73-vjeçaren që humbi jetën në Spitalin e Durrësit e që kishte disa ditë e infektuar me koronavirus. Ai apeloi që të zbatohen në mënyrë rigoroze këshillat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *