Basha nuk dorëzohet: Do luftojmë fort për të sjellë ndryshimin në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua këtë të enjte me ministren austriake, Karoline Edstadler, të cilën e falenderoi për ndihmën që Austria i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.
Në fokus të bisedës ishte masakra elektorale të 25 prillit.
“Manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve, punësime masive te paligjshme me kontrata të përkohshme në sektorin publik si dhe përdorimin e legalizimeve për vota, ishin disa prej krimeve zgjedhore që çuan në tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve.”
Gjatë takimit, Basha e njohu ministren dhe me kallëzimin që PD ka depozituar në SPAK, ndërsa shprehu vendosmërinë e tij dhe të PD për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri.




