Kryedemokrati Lulzim Basha i mbylli takimet elektorale të kësaj të diele në Prrenjas.
I rrethuar nga qytetarët, ai deklaroi se beteja e 25 prillit nuk bëhet për pushtetin, por për të përmirësuar të ardhmen e njerëzve.
Akuzat për shumicën qeverisëse nuk munguan, duke e fajësuar se prej saj, Shqipëria mbeti në vendnumëro për 8 vite.
“Beteja e 25 prillit po bëhet për njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Nuk po bëhet për atë që pati tetë vite kohë dhe jo vetëm nuk mbajti asnjë premtim, por zhyti Prrenjasin, Elbasanin, Librazhdin, Cërrikun, Peqinin, Gramshin dhe gjithë Shqipërinë në një mjerim të thellë. Na la në vendnumëro, na la aty ku ishim tetë vite më parë. Premtoi hapjen e negociatave, që do të sillnin investime, që do të përmirësonin jetën e fermerëve, punëtorëve, do të përmirësonte shkollat dhe universitetet. Tetë vite hapi shampanjën për vete dhe dyert e emigracionit për shqiptarët, për të rinjtë dhe të rejat, të cilët janë larguar nga Shqipëria si asnjëherë më parë. 8 vite, tetë vite dështime, dështime dhe vetëm dështime dhe vjen të trokasë në derë dhe kërkon dhe katër vite të tjera. Cila është përgjigjja juaj? Cila është përgjigjja e nënave të Prrenjasit, për dështimet. Ju ka zbrazur vatrat, duke shkulur nga zemra fëmijët e tyre duke jua çuar në emigracion. Cila është përgjigjja e baballarëve të papunë e të ç’punësuar e të fermerëve pa subvencione? Cila është përgjigjja e rinisë së Prrenjasit? Padiskutim që jo. As katër ditë, as katër orë më shumë. Me 25 prill vjen ora, vjen dita për ndryshim. Sepse 25 prilli ndryshe nga çdo të besonte ai nuk është dita e partive por është dita e popullit, është dita e njerëzve, është dita kur ju keni në dorë të gjithë politikanët.”