Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal këtë të martë në Golem për të vijuar me takimet me bizneset. Edhe këtë herë nuk munguan sulmet e Bashës ndaj qeverisë.

“Pikërisht në këtë moment, kur duhet dora e shtetit, në këtë moment duhet dora e qeverisë, qeveria është fshehur, qeveria është në arrati. Qeveria e ka braktisur detyrën e vet, ka braktisur misionin e vet, ka braktisur sipërmarrjen, ka braktisur turizmin. Është i vetmi vend me vijë bregdetare, madje do të thoja edhe pa vijë bregdetare në Ballkan, i cili nuk ofron absolutisht asnjë paketë mbështetje reale dhe serioze për turizmin.”

Duke pretenduar se mbështetja e qeverisë për bizneset në kohë krize është e papërfillshme, Basha tha se kjo gjë duhet të ndryshojë sa më parë. Dhe sipas tij, diçka e tillë do të ndodhë me ngjitjen e PD në pushtet.

“Mesazhi që kam nga Golemi, miqtë e mi, është që ky është një vend i bekuar nga natyra, është një vend i bekuar nga njerëzit punëtorë, por është një vënd i mallkuar nga ata që kemi në krye. Ndaj, një orë e më parë duhet ndryshim. Një ndryshim real dhe i prekshëm jo thjesht një rotacion karrigesh, por një qeveri që mendon për ju, një qeveri që mendon për ekonominë, një qeveri që mendon për vendet e punës dhe jo një qeveri që mendon vetëm për veten e vet dhe për një grusht oligarkësh. Ky është zotimi ynë kryesor, ky është zotimi ynë i parë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *