Kryetari i PD, Lulzim Basha pati një takim me familjet e vjetra të Elbasanit këtë të diel, të cilëve u premtoi ndryshimin pas 25 prillit. Lideri i opozitës u zotua të mbajë premtimet, duke përdorur si metaforë edhe Normalen e Elbasanit.

“Dua të ndalem te një tjetër metaforë e Normales, se s’ka të bëjë vetëm me shkollën dhe rëndësinë e shkollës për arsimin shqiptar, por ka të bëjë me normalitetin si tipar i elbasanlliut dhe zonjave të Elbasanit. Normalitetin, si tipar i civilizimit, i qytetarisë. Normalitetin, si dëshirë tashmë dhe si aspiratë në një Shqipëri të ç’normalizuar, në një Shqipëri, ku politika e premtimeve të pambajtura ka çuar drejt një gjuhe dhe drejt një sjellje që do të ishte e papranueshme në çdo familje normale shqiptare. Normaliteti në ekonomi, normaliteti në shoqëri, normaliteti në arsim, në shëndetësi, normaliteti si normë e europiane, e qytetares, është thelbi i ndryshimit që ne kërkojmë dhe do të bëjmë realitet nisur nga vota e shqiptarëve në 25 Prill. Por kjo nis vetëm duke normalizuar politikën.”

Për kryeministrin Edi Rama, kryedemokrati tha se e ka kthyer në një betejë personale me të këtë fushatë elektorale.

“Kjo është simptoma e asaj që ka ndodhur këto 8 vite, sepse këto 8 vite s’ka mbajtur asnjë premtim dhe fushata është momente kur ai që ka qeverisur duhet të japë llogari për premtimet, ai që kërkon të qeverisë duhet të zbulojë vizionin, programin dhe mënyrën se si do ti bëjë ato zotime, ato angazhime realitet. Se ai do ta kthejë këtë në betejë midis meje dhe tij. Në fakt koha e tij ka mbaruar. kjo nuk është betejë midis meje dhe tij. Koha e tij ka mbaruar dhe kjo nuk është betejë për ne të dy, nuk është betejë as për kandidatët tanë për deputetë. Kjo është betejë për familjet shqiptare, kjo është betejë për interes kombëtare, kjo është betejë për ekonominë për mirëqenien, për të ndalur emigracionin, për të ringjallur ekonominë në çdo aspekt të saj. Kjo është betejë për të mundësuar që çdo i ri dhe e re e Elbasanit të ketë arsimin e duhur dhe punësimin dinjitoz.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *