Subscribe

Kreu i PD, Lulzim Basha diskutoi këtë të premte me kryetarin e Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku për situatën ekonomike në Shqipëri.

Basha tha në “Facebook” se theksi i bisedimeve u vu tek konkurrenca e pandershme dhe paratë e pista që qarkullojnë në ekonominë shqiptare.

“Gjatë bisedës me Administratorin e Përgjithshëm të Konfindustrisë (Konfederata e Industrive të Shqipërisë), z. Gjergj Buxhuku dhe bashkëpunëtorët e tij, ndamë jo vetëm shqetësimet e situatës ekonomike dhe financiare të bizneseve, por edhe vizionin e përbashkët mbi zhvillimin ekonomik të vendit gjatë viteve të ardhshme. Konkurrenca e pandershme, përfshirja në ekonominë shqiptare të parave me origjinë të dyshimtë, mungesa e politikave mbrojtëse të prodhimit vendas, aksesi i ulët në kreditimin e ekonomisë, mungesa e sigurisë juridike në respektimin e kontratave dhe ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale ishin kryefjala gjatë bashkëbisedimit tonë.”

Kryedemokrati theksoi se PD po përgatit një plan ekonomik, për t’ju përshtatur edhe situatës së re të krijuar për shkak të pandemisë. Ai renditi disa nga prioritetet e këtij plani.

“Ky bashkëbisedim shërbeu për të diskutuar mbi planin tonë ekonomik, të cilin po e përshtasim me realitetin e ri ekonomik të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19. Ulja e taksave, thithja e investimeve të huaja, bashkëpunimi me biznesin, i cili në filozofinë tonë konsiderohet si punëdhënës dhe jo thjesht si taksapagues do të jenë prioritet. Respektimi i sigurisë juridike e gërshetuar me politika të qëndrueshme fiskale dhe rregullatore do të jenë boshti kryesor i platformës tonë. Implementimi i taksës së sheshtë 9%, eleminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve do të jenë faktorë vendimtar në parandalimin e konkurrencës së pandershme në treg. Reformat tona do të jenë të qarta, konkrete dhe të realizueshme.”

Sipas Lulzim Bashës, vetëm duke marrë masat që planifikon PD mund të fuqizohet ekonomia, të hapen vende të reja pune dhe të rritet mirëqenia e shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *