Basha ndërmerr hapin e parë në parti: Sqaroni bazën për Berishën
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka bërë lëvizjen e parë politike në raport me Sali Berishen, që pas vendimit për përjashtimin e tij.
Në mesditë, Basha ka mbledhur një pjesë të kryesisë së grupit parlamentar të cilët i ka porositur të sqarojnë strukturat dhe njerëzit në takime dhe nëpërmjet medias për vendimin e marrë ndaj liderit historik të PD, Berishës. Mësohet se gjatë mbledhjes Basha ka vënë në dukje se deputetët duhet të vlerësojnë figurën e Berishës, por të theksojnë se ky vendim i shërben të ardhmes së Partisë Demokratike.
Këtë linjë përcolli për mediat edhe deputeti Gjekmarkaj, i cili mbrojti vendimin për përjashtimin e Berishës.
“Nuk shtrohet pyetja: ishte vendim i gabuar apo i padrejtë. Nuk kishte mundësi tjetër Lulzim Basha apo PD-ja. Duket se ishte shtegu i vetëm për të kaluar. E kam thënë dhe në një media se Sali Berisha është personalitet i madh politik, beteja për statut që mund të bëjë ai, nuk janë beteja për të, pasi janë të një kalibri të vogël”, tha Gjekmarkaj.
Prej së enjtes, kur Basha shpalli vendimin për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat; e gjithë PD ka preferuar të heshtë e të shmangë çdo koment për këtë vendim.




