Lideri i opozitës Lulzim Basha shkoi në qarkun e rivalit politik Rama, në Vlorë, për të kërkuar të bindë qytetarët të votojnë Partinë Demokratike. Sipas Bashës 25 prilli nuk përcakton thjesht cila parti fiton.
LULZIM BASHA
KRYETAR I PD
“Mos harroni! Kjo betejë nuk është për Bashën apo për Ramën, është për shqiptarët. Është për të rinjtë që kanë kthyer sytë nga emigracioni. Kjo betejë është për të rinjtë dhe shqiptarët.”
Basha ka zgjedhur të takojë në Vlorë artistët e këtij qyteti të cilëve u ka sqaruar vizionin e Partisë Demokratike duke u nisur nga reforma në drejtësi
“Duke hequr duart nga drejtësia, duke bёrё reformon nё drejtësi dhe jo reformë fallco, duke mundësuar gjyqtarëve dhe prokurove jo vetёm t’i mbrojnë, por t’i çojnë para drejtësisë politikanët e korruptuar dhe njerëzit qё kanё futur duart nga xhepat e shqiptarëve. Pa luftuar korrupsionin Shqipёria nuk bën dot përpara dhe pёr kёtё do tё keni vullnetin tim tё hekurt.”
Sipas Bashës lufta kundër korrupsionit është e vetmja rrugë për zhvillimin e ekonomisë.
“Sepse legjenda e fundit që ka ngritur ky regjim është ku do ti gjeni lekët? Lekët do ti gjejmë tek buxheti i shtetit. Aty ku gjen lekët Edi Rama për të paguar oligarkët, aty ku gjen lekët Edi Rama për të vjedhur paratë e shqiptarëve në kohë pandemie, aty ku gjen lekët Edi Rama për të vjedhur lekët e rindërtimit në kohë pandemie.”
Basha u ka premtuar aktorëve ndërtimin e teatrit kombëtar në vendin që ka qenë sipas projektit që ka qenë.
Bujar Asqeriu:Edhe një teatër e rrafshuan. Tirana është pa teatër. Tirana kur ka vajtur 1 milionë banorë minimumi është edhe në kërkesat e Bashkimit Evropian për 100 mijë banorë duhet të ketë 1 teatër, duhet të ketë minimumi 10 teatro. Ku janë 10 teatro në Tiranë?
Lulzim Basha: Edhe atë që e kishim e shkatërruan.
Bujar Asqeriu: Prandaj nesër i nderuar zoti Basha teatrin ta çoni atje ku ishte.
Lulzim Basha: Ky është zotimi im.
Bujar Asqeriu: Sepse aty është fryma e atyre që nuk jetojnë dhe e atyre që nuk do të jenë nesër.
Lulzim Basha: Dhe teatri është më shumë se teatër, është më shumë se art, është demokraci, është themeli i demokracisë.
Bujar Asqeriu: Është demokraci dhe është shenjtëri! Hajde prishe kishën sot dhe një xhami. Prishi dot, nuk i prish dot se të vret ai atje. Ai symadhi atje shikon çdo gjë. Se këta kujtojnë se nuk shikon ai. Ai shikon çdo gjë.
Gjatë vizitës në Vlorë Basha ka shfrytëzuar të gjitha mënyrat e komunikimit për të bindur qytetarët të votojnë alternativën e opozitës.
Pirro: O Luli po më merr gruaja, hajde të bëjmë një fotografi.
Lulzim Basha: Ma jep, si e ka emrin bashkëshortja?
Pirro: Thëllëza.
Lulzim Basha: Thëllëza si je? Mirë, ja me Pirron duke qarë hallet. Do fitojmë patjetër.





