Në kuadër të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim me fermerët dhe drejtuesit e shoqatave të fermerëve të Lushnjes.

 

Në fjalën e tij, lideri demokrat u shpreh se problemet e fermerëve po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

 

Sipas tij, edhe pse duhej të ishte sektori që duhej të kishte vëmendjen më të madhe, sot fermerët shqiptarë nuk krahasohen me ato të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

 

“Aksesi në treg do të thotë që produktet të dalin në treg. Kudo në Shqipëri ka vështirësi të tmerrshme për këtë, prisnin polici e inspektoriate mbas kthesës me bllokun e gjobave në dorë. Gjobë pas gjobe. Sa të arrish ti në treg, në qoftë se ka treg, je mbytur me gjoba që kanë vlerë më të lartë sesa produkti që ti do të shesësh. Dhe këtu pastaj qershia mbi tortën e korrupsionit të Edi Ramës, është tregu i Lushnjës. Ndërtuar me financim të Bankës Botërore, për t’i dhënë akses fermerëve të Lushnjës, për t’i dhënë mundësi qytetarëve të Lushnjës të shijojnë produktet, për t’i dhënë mundësi edhe të tjerëve të vijnë sepse këto janë zona me nam për produkte të veçanta, i cili kontrollohet njësoj si inceneratorët, si burg i sigurisë së lartë nga banda e Lushnjës. Banda e Lushnjës ju merr si të burgosur brenda, edhe ju, edhe ata që vijnë të blejnë. Tarifat ngjanë me gjoba dhe ju futeni me kokën poshtë sikur po futeni në burg. E dini me kokën poshtë dhe xhepat bosh. Sepse me tarifat, me trajtimin që u bëhet ai realisht e meriton të quhet kamp përqendrimi, jo treg.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *