Subscribe

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha firmosi këtë të hënë marrëveshjen me përfaqësuesit e operatorëve turistikë.

Ndërsa e quajti këtë marrëveshje një hap drejt ringritjes së turizmit, lideri demokrat tha se në raport me premtimet e para 8 viteve, turizmi është ndër dështimet më të spikatura të kësaj qeverie.

Ai premtoi mbështetje financiare për kontributet dhe pagën minimale të punonjësve deri në kthimin e situatës në normalitet.

“Jemi këtu, me përfaqësuesit e një sektori që përbën 1/4 e ekonomisë shqiptare, afro 25% të prodhimit të brendshëm bruto, duke përfshirë këtu të dy komponentët kryesor, atë të turizmit, hotelerisë, si dhe të udhëtimit. Dhe punëson drejtë për drejtë mbi 90 mijë familje shqiptare. Nga ana tjetër, jemi këtu sepse besojmë që të dyja këto, mund, duhet dhe do të ndryshojnë. Se ky sektor do të marrë një peshë shumë më të madhe në ekonominë shqiptare dhe do të japë kështu mundësi shumë më shumë familjeve dhe qytetarëve të përfitojnë drejtë për drejtë si sipërmarrës ose të punësuar me të ardhura shumë më të mira sesa sot. Por, që kjo të ndodhë, na duhet një ndryshim rrënjësor. Ndryshim për të cilin ne kemi folur gjatë gjithë takimeve tona, ndryshim për të cilin ju jeni shprehur qartë dhe mezi e prisni. Në veçanti për sa i përket politikave ekonomike dhe sa i përket shënjestrimit të turizmit si potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Shqipëri. Ndaj, jam sot këtu me një ndjenjë shumë pozitive që pas vite të tëra angazhimi në dialog të drejtpërdrejtë, pasi kemi dhënë dhe marrë dhe kemi përfituar nga njëri-tjetri edhe në hartimin e programit dhe të planit të Partisë Demokratike për sektorin e turizmit, pas marrjes së përgjegjësive për qeverisjen e vendit të kemi përpara nesh edhe një marrëveshje konkrete e cila nënvizon konturet, format, mënyrat e ndryshimit në sektorin turistik.”

Më tej, kreu opozitar foli edhe për aplikimin e pragut të TVSH-së në 6 për qind për të gjitha hallkat e turizmit.

“Mbështetje financiare për kontributet dhe pagën minimale të punonjësve deri në kthimin e situatës në normalitet. Lehtësimin e kompanive që operojnë në sektorin e turizmit nga detyrimet fiskale deri në kthimin e situatës në normalitet. Në këtë kuadër ne do të bëjmë shqyrtimin e aplikimit të pragut të TVSH-së në 6% për të gjitha hallkat e turizmit duke e njehsuar atë  me akomodimin në mënyrë që t’i jepet përparësi të gjithë industrisë duke qenë që sistemi i sotëm i diferencimit nuk ka prodhuar efiçencën e  kërkuar dhe të duhur të këtij sektori. Akordimi i fondit të posaçëm për rritjen e nivelit të promovimit të Shqipërisë turistike duke përfshirë edhe rrjetin tonë diplomatik në veçanti sa i përket vendeve të rajonit, të Bashkimit Europian por dhe të  tregjeve të tjera me potencial të lartë siç janë vendet e Azisë. Akordimi i një fondi të veçantë për subvencionimin me 10 euro për çdo person për turizmin hyrës përmes operatorëve turistikë të cilët mundësojnë prurjen e turistëve të huaj në mënyrë të organizuar dhe që akomodohen minimalisht 5 netë në Shqipëri. Këto janë disa prej angazhimeve që ne i marrim sot bashkërisht me një qëllim të vetëm të cilit do ti shërbejmë nga 2 drejtime të ndryshme, rritjen e këtij sektori, fuqizimin e këtij sektori, nxjerrja e këtij sektori nga kriza 8-vjeçare e në veçanti nga traumat e këtyre 2 viteve dhe qëllimi është që përmes kësaj të ndihmojmë rritjen ekonomike, shtimin e vendeve të punës, shtimin e të ardhurave dhe të mirëqenies të dhjetëra, mijërave të punësuarve dhe  dhjetëra, mijëra familjeve shqiptare që varen drejtpërdrejt nga ky sektor me impakt po kështu edhe në sektorë të tjerë siç janë ai i bujqësisë, i agrobiznesit, i zejtarisë, i artizanatit dhe shumë sektorë të tjerë të ekonomisë të cilët padiskutim do të përfitojnë nga masa lehtësuese në tërësi për ekonominë  por edhe nga fuqizimin i sektorit të turizmit në veçanti. Kam kënaqësinë zoti kryetar, zoti Kasa, zonja Londo, zoti Topozi, zoti Sheri, zoti Dervishi, zoti Luavi dhe zoti Kukeli që sot finalizojmë një udhëtim mes sfidash gjatë këtyre 8 viteve, por tashmë drejt një ndryshimi të pandalshëm, pozitiv të sektorit të turizmit për ju si drejtues, për sipërmarrësit, për të punësuarit e këtij sektori e natyrisht për të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë dhe për imazhin e vendit tonë në botë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *