Lulzim Basha i cili mban ligjërisht logon e Partisë Demokratike ka akuzuar opozitën se po bllokon mbledhjet e parlamentit prej disa javësh për interesin personal të liderit te opozitës Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi. Pak minuta para se të prezantonte draftin për reformën zgjedhore Basha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke vënë në dukje se ai nuk do të bëhet pjesë e bllokimit të parlamentit.
LULZIM BASHA
“Njerëzit nuk po presin që ne të gjejmë punë si deputet në zgjedhjet e ardhshme dhe të përdorim parlamentin si teatër për interesa personale”
Basha shpjegoi se për shkak te situatës ku ndodhet parlamenti ai vetë prej javësh nuk ka marrë pjesë në seanca plenare.
“Seancat parlamentare janë asgjësuar nga pazari i Edi Ramës me Sali Berishën”
Edhe pse aleatet tradicionale të PD kanë bërë apel që opozita të bashkohet si e vetmja rrugë për të fituar zgjedhjet, Basha përsëriti se nuk do të bashkëpunojë me liderin e opozitës Berisha.
“Nuk kam ndërmend të ushqej lajmet me telenovelat e vjetra 2 vjeçare. PD ka marrë vendime të qarta politike, i ka rikonfimuar në kuvendin e 2 shtatorit.”
Edhe pse shumica e deputetëve të opozitës janë bashkuar për të kërkuar shkarkimin e Enkelejd Alibeajt nga pozicioni i bashkëkryetarit të reformës zgjedhore, Basha këmbëngul se ky post dhe e drejta e vetos i takon Alibeajt.
“Komisioni i reformës zgjedhore ka bashkëkryetarin e PD të zgjedhur kohë më parë
-me 7 deputete zoti Basha
-nuk bën PD llogari kungulleshkash si ata që bëjnë llogari personale.”
Pavarësisht se Lulzim Basha i shmanget betejës së numrave nga 52 deputetë që Partia Demokratike fitoi ne 25 prillin e vitit 2021, sot Bashën e mbështesin vetëm 10 deputetë.
Për shkak se Sali Berisha e Gazment Bardhi gëzojnë mbështetjen e shumicës së deputetëve të opozitës, ata prej shtatorit kanë kerkuar shkarkimin e Enkelejd Alibeajt nga komisioni i reformës zgjedhore dhe votimin e Oerd Bylkbashit në postin e bashkëkryetarit duke shpjeguar se ata janë forca më e madhe e opozitës dhe atyre u përket e drejta e vetos.





