Jozefina Topalli ka sulmuar ashpër kryetarin e PD Lulzim Basha për lidhje me oligarkët. Drejtuesja e “Lëvizjes për Ndryshim”, Topalli sjell në vëmendje se në asnjë deklaratë publike, Basha nuk përmend emër oligarku edhe pse premton betejë kundër tyre.

 

JOZEFINA TOPALLI

LEVIZJA PER NDRYSHIM

 “Ishte shumë e trishtueshme mbrëmë kur shikoja në një emision televiziv, kur një gazetar që në fakt është edhe mik i Lulzim Bashës i kërkonte të përmendte vetëm një emër të oligarkëve dhe ai nuk e tha kurrë. U soll rrotull një gjysmë ore foli për teoritë e oligarkëve a thua se po jepte mësim, por nuk mundi të përmende një emër oligarku.”

 

Sipas Topallit beteja e Bashës kundër oligarkëve nuk është e vërtetë.

 

“Është fake, është tërësisht fake. Ai jeton në Tiranë në vilat e oligarkëve, ai jeton në plazhet e bregdetit shqiptar, në vilat e oligarkëve, ai është i njësuar me oligarkët, ai darkon me oligarkët dhe përmes tyre bashkëpunon shumë mirë me Edi Ramën.”

Topalli i është kundërpërgjigjur edhe akuzave së lëvizja e saj ndihmon Ramën, duke theksuar se lidhja e saj me demokratët është e pazgjidhshme.

“Nuk kam qenë unë në qeveri me Edi Ramën, mua nuk më ka prishur Edi Rama në mënyrë të paligjshme një pallat që të më jepte 13 milionë euro, dhe kryeministri Edi Rama nuk ka shkuar në Strasburg duke vënë në dispozicion avokaten e popullit për të më dhënë 13 milionë euro, siç ka bërë me Lulzim Bashën.”

Jozefina Topalli e Astrit Patozi do të garojnë së bashku dhe puna për hartimin e listës së kandidatëve ka nisur dhe mesazhi politik i tyre është vetëm një.

“Ne kemi një kartë morale, e cila besoj se është kyçe. Antikorrupsioni është fjala kyçe.”

Nga zgjedhjet parlamentare na ndajnë 100 ditë dhe Jozefina Topalli ka një mesazh për të gjithë ata që kërkojnë ndryshimin e realitetit.

“Unë jam e bindur që një shumicë e rëndësishme shqiptarësh do bashkohen kundër këtyre 3 kryetarëve. Të shkojnë me votu në 25 prill kundër 3 personave që kanë monopolizuar jetën politike, të gjithë pasurinë  e vendit e kanë në dispozicion të tyre dhe të oligarkëve.”


Sipas Jozefina Topallit, nëse shqiptarët rrinë në shtëpi e nuk shkojnë të votojnë, realisht ndihmojnë që në pushtet të qëndrojnë tre kryetarët, Rama, Basha e Meta.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *