Vendimet e marra nga Këshilli Kombëtar i PD për anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut duket se nuk kanë shqetësuar kandidatin pretendent, Lulzim Bashën. Ky i fundit shprehet i sigurtë në mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri të PD, teksa shton se demokratët do të mund të shprehin vullnetin e tyre në një moment vendimtar për këtë forcë politike.

 

“Të shtunën me 29 korrik demokratët do të shprehin vullnetin e tyre në një nga momentet më të rëndësishme për Partinë Demokratike. Ata do të votojnë jo vetëm për kryetarin, por për të nisur një rrugëtim të ri, të organizimit, ringritjes dhe shndërrimit të PD në alternativën që duan dhe presin shqiptarët”, shprehet ai.

 

I bindur se PD do të rimëkëmbet, Basha thekson se kjo forcë politike nuk i përket askujt, por vetëm demokratëve. Edhe pse këta të fundit nuk ka mundur t’i udhëheq drejt fitores, Basha thekson se rikthimi do të jetë më i fortë pas sfidave që është përballur.

 

“Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira dhe pas çdo sfide i’a kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë. Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve.

 

Ndonëse jemi përballur me një agresion të pandërprerë, nuk jemi mposhtur, as dorëzuar, por kemi qëndruar e qëndrojmë të vendosur për kauzat tona dhe më të vetëdijshëm se kurrë për vlerat që na bashkojnë e misionin që na thërret”, shton ai.

 

Nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar i PD i thirrur nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhim, kërkon çregjistrimin e Bashës nga partitë politike dhe anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *