Kryedemokrati Lulzim Basha i përgjigjet pozitivisht thirrjes së presidentit Ilir Meta për tubim më 2 mars, ndërsa shton se del në mbështetje të çdo thirrjeje që ka si objektiv mbrojtjen e Kushtetutës.

 

Përmes një postimi në “Facebook”, lideri demokrat shprehet se nuk mund të pranojë që Shqipëria të kthehet 30 vite prapa. Sipas tij, thirrje e Presidentit nuk i drejtoht vetëm partive politike, por të gjithë shqiptarëve.

 

“Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese, krahas krizës ekonomike që të gjithë shqiptarët e përjetojnë përditë. Si qytetarë, nuk mund të mbyllim sytë kur shteti ligjor merret peng, kur institucionet shkatërrohen, dhe demokracia është në rrezik. Kapja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë asgjësim i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të kthehet 30 vite prapa. Thirrja e Presidentit nuk është për partitë politike, apo për të djathtët apo të majtët, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë themelin e demokracisë që është Kushtetuta.”

 

Për Lulzim Bashën, rruga e vetme për të tejkaluar krizën në të cilën ndodhet vendi është përfundimin në kohë i reformës zgjedhore dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

 

“Kudo ku shkoj dhe këdo që takoj, kërkesa kryesore e qytetarëve është të kenë një Qeveri të zgjedhur prej tyre dhe që kujdeset për ta, që i dëgjon dhe që është e ndershme me ta.  Unë dhe opozita kemi qenë dhe jemi fare të qartë: Kushtetuta ka rënë, asaj i ka mbetur vetëm kapaku! Prandaj na duhet një zgjidhje politike për ta futur Shqipërinë në rrugën e duhur. Për të zgjidhur krizën ku është futur vendi, për tu kthyer qeverisjen shqiptarëve, për tu kthyer bashkitë shqiptarëve, për tu kthyer ekonominë shqiptarëve, për të garantuar drejtësinë e pavarur nga politika, ka një zgjidhje demokratike: përfundimi në kohë i reformës zgjedhore dhe menjëherë mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *