Basha: Do të hetojmë autorët e prishjes së Teatrit kur të mos kontrollohet drejtësia

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u zotua të çojë para drejtësisë ata që shembën ndërtesën e Teatrit Kombëtar.
Por këtë gjë, tha ai, do ta realizojë vetëm kur të mos kontrollohet drejtësia nga qeveria.
Në një prononcim për mediat pas takimit në seli me ambasadorët, Basha u shpreh i dyshimtë edhe për hetimin ndërkombëtar që ka kërkuar presidentin Ilir Meta.
“Hetimi dhe vënia para përgjegjësisë të autorëve që bënë këtë krim makabër është kusht i patjetërsueshëm dhe zotim i imi që do të bëhet realitet vetëm kur vendi të mos ketë një qeveri që kontrollon prokurorinë dhe drejtësinë. Për hetimin ndërkombëtar që ka kërkuar Presidenti nuk kam kundërshtim, nuk e di sa i mundur do të jetë në këto kushte, do të kishte besueshmëri. Por e sigurt është se me këtë qeveri ky krim as nuk mund të dënohet dhe faktorët nuk mund të dënohen se fajtorët janë vetë qeveria dhe kryeministri.”
Lideri i demokratëve konfirmoi se do të marrë pjesën edhe në protestën e radhës që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të mbajë të mërkurën.




