Për kryetarin demokrat politikat e qeverisë per bujqësinë janë thjesht fasadë për të mbuluar rrënimin. Nga Lushnja, ku u takua me fermerët Basha premtoi se kur PD të marrë pushtetin, bujqësinë do ta ketë prioritet për zhvillimin e vendit.
“1.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto mbështetje buxhetore për bujqësinë, kjo është 150 milionë euro në vit. 50 milionë për infrastrukturën, për kanalet, për digat, për ujitjen, për rrugët e aksesit, për tregun, se edhe tregu është problem dhe 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët. Sot planifikojnë 5 milionë, nuk i shpërndajnë as 2 milionë sepse i vjedhin. Me 100 milionë euro subvencione çdo familje fermerë do të mbështetet drejtpërdrejtë me lekë në dorë. Nuk do të ketë as kërkesë për NIPT, nuk do të ketë as burokracira të tjera, as të kesh kaq dynym, as të kesh kaq kokë lopë, sa kokë mështjerra ke, sa hektarë tokë ke, po ti punosh do të marrësh subvencion nga shteti. Kjo është skema jonë.”
Basha siguroi se gjatë qeverisës së tij do të ketë politika të qarta për mbështetje financiare.
“Për çdo kokë bagëtie, lopë, mështjerrë, çfarë të kesh, për çdo dynym tokë që punon fermeri shqiptar do të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, lekë në dorë nga shteti. 80 milionë në vit këta i bëjnë rrush e kumbulla për zyra e makina, 15 milionë në vit i bëjnë rrush e kumbulla vetëm për bileta avioni. Imagjinoni se ku shkojnë paratë e taksapaguesve.”
Gjatë takimeve në fshatrat e Lushnjes, Lulzim Basha premtoi gjithashtu rihapjen e të gjitha filialeve të Universitetit Bujqësor, për tu fokusuar tek rritja e cilësisë së këtij sektori.