Basha: AntiKÇK mashtrim, dëmton SPAK e BKH, pro referendumit të Metës
Lideri i opozitës Lulzim Basha ka theksuar se mbështet referendumin e thirrur nga presidenti Ilir Meta.
Basha në fjalën e tij se referendum është dhe një ndër pikat kryesore të opozitës.
” Mbështesim idenë e referendumit të presidentit Ilir Meta, është një nga 5 pikat e platformës sonë. Është një çështje që jam angazhuar për 2 vjet e gjysmë. Presidenti ka lajmëruar nisjen e një dialogu të tij me shqiptarët, këshilla ime për të gjithë përfaqësuesit institucionalë është të komunikojnë me qytetarët, siç kamë bërë dhe unë prej tre javësh me rrugëtimin tim nëpër Shqipërinë, që ka në qendër bashkëbisedimin me njerëzit. Mirëpres çdo kontakt të drejtpërdrejtë të qytetarëve”.
Gjithashtu kryedemokrati i është përgjigjur edhe kryeministrit Edi Rama i cili ka njoftuar se ditën e nesërme do të marrë jetë paketa speciale Anti-KÇK kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
Kryetari i PD-së, ka thënë se AntiKÇK është një strukturë paralele me SPAK dhe BKH, për të cilën Basha thotë se Rama nuk e ka “kapur dot”.
“SPAK dhe BKH kam theksuar dhe theksoj mbështetjen time totale, mbështetjen totale të PD. Vonesat për ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së kanë një autor dhe ky është Edi Rama. Edi Rama ka vonuar pa asnjë shkak ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së, ndaj sot gjendemi me kriminelë që duhet të jenë në burg, por hanë e pinë me Edi Ramën nga mëngjesi në darkë, diktojnë tendera dhe koncesione. Prapa çdo koncesioni korruptiv ka një bandë kriminale me një kryebandit që është aleat politik i Edi Ramës, figura të njohura të krimit të organizuar. Këta banditë duhet t’ë ishin në fund të Bulevardit, tek 313-a, por janë në fillim të bulevardit, tek lokalet më luksozë përballë kryeministrisë dhe shpeshherë, tek lokali luksoz Brenda kryeministrisë. Dhe është kjo bandë, bashkë me Edi Ramën, që ka vonuar SPAK-un dhe BKH-n. Me atë që do të shpallë nesër po përpiqet ta sabotojë. Do të shpallë nesër projektin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ku do të vinte Saimir Tahirin, komandant të SPAK-ut dhe të BKH-së. Për ta kujtuar si çështje. Ndërkohë që kishin plasur disa çështje, mes të cilave edhe e Mark Frrokut, sepse kishte ardhur ekstradimi dhe ky e fshihte ekstradimin, pastaj largoi Artan Didin, e bëri kokë turku, ishte koha kur Shqipëria ishte mbushur me drogë në këtë moment, Edi Rama miratoi në Kuvend një ligj që e bënte Ministrin e Brendshëm kapon e SPAK dhe të BKH-së. Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë ligj. Sepse nuk mund të ngrihen këmbët t’i bien kokës. Si mund të hetojë polici i thjeshtë kriminelin, kur krimineli është Ministër i Brendshëm dhe shef I tij?! Edi Rama e ka ankth SPAK-un dhe BKH-në dhe është në gjendje të bëjë gjithçka që ose ta bllokojë, se për të shtyrë e ka shtyrë mjaftueshëm, ose ta kapë.Nesër do të shpallë një masë që ka për qëllim të ndërtojë një SPAK dhe BKH paralele, që ta ketë ai nën kontroll. Të njëjtën gjë që donte të bënte me Saimir Tahirin, tani do ta bëjë vetë. Është një mashtrim për shqiptarët dhe partnerët. Është zyrtarizim i shtetit me polici partiake. Edi Rama e di mirë se një SPAK dhe BKH e pavarur është një kërcënim për të dhe për bandën e tij. Rikthimi i këtij modeli është i papranueshëm për ne. Ndaj, ne kërkojmë ngritjen me shpejtësi të SPAK-ut dhe BKH, bërjen e tyre funksionale dhe dhënien fund të praktikave për ta zhbërë apo për ta dëmtuar akoma pa nisur nga puna, duke ngritur të tilla struktura paralele. Lidhur me pjesën tjetër, se duhet të forcojë ligjet, nuk qëndron. Ligje më të forta kundër mafias dhe krimit të organizuar se ç’ka Shqipëria, nuk ka asnjë vend tjetër. Edi Rama dhe SPAk janë në konflikt interesi, prandaj e ka vonuar SPAK-un dhe nesër do të bëjë një përpjekje të fundit, të mjerë për të sabotuar SPAK-un. Mos kini dyshim që do ta bëjë të madhe. Do ta bëjë spektakël, ta shesë si gjë të madhe nga ana ligjore, do t‘i bjerë nja 2-3 personave, që nuk ka dëm se ose janë rivalë të bandave të tij, ose i fut Brenda dhe i nxjerr prapë, siç ka bërë këto 6 vite. Spektaklin do ta bëjë, por shqiptarët e dinë fare mirë se shkaktari i kësaj gjendje për luftën kundër krimit dhe korrupsionit ka një emër, aleati I tyre, përfaqësuesi i tyre, ortaku dhe shërbëtori, kryeministri i vendit”.




